Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
21:26 27.2.2022

Borrell: Kriza mund të përhapet edhe në vendet tjera përfshirë Ballkanin Perëndimor​

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të dielën, më 27 shkurt se shtetet e BE-së janë të shqetësuara se kriza e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës mund të përhapet në vendet fqinje, duke përfshirë Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor.

"Ne jemi të shqetësuar për atë që mund të ndodhë në rajon," tha Borrell në një konferencë për media në Bruksel pas një takimi virtual të ministrave të jashtëm të BE-së mbi krizën që po mbizotëron në Ukrainë.

"Ne kemi frikë se Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë dhe ndikimi rus mund të fillojë të funksionojë në vendet fqinje”, tha Borrell.

Si përgjigje ndaj krizës në Ukrainë, BE-ja për herë të parë në histori ka njoftuar se do të përdor fondet e saj për të ndihmuar ushtarakisht ukrainasit.

22:34 27.2.2022

Takimi Rusi – Ukrainë, të hënën në mëngjes

Një delegacion ukrainas do të takohet me një delegacion rus të hënën, më 28 shkurt, për bisedime në kufirin Ukrainë-Bjellorusi, pas garancive të presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, raporton CNN.

Njoftimi erdhi të dielën pasi forcat ukrainase u angazhuan në luftime të ashpra me trupat ruse në qytete të shumta anembanë Ukrainës.

Rusia po përballet me dënimin universal dhe sanksionet e shtuara nga fuqitë perëndimore për sulmin e paprovokuar të Moskës ndaj Ukrainës, tashmë në ditën e katërt.

Zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Evgeny Yenin tha se bisedimet do të zhvillohen të hënën në mëngjes sipas kohës lokale.

22:38 27.2.2022

Franca u thotë qytetarëve të saj të largohen nga Rusia

Franca i ka rekomanduar çdo shtetasi të saj që aktualisht ndodhet në Rusi të largohet "pa vonesë".

Kjo vjen pasi Bashkimi Evropian njoftoi se po mbyllte të gjithë hapësirën ajrore për avionët rusë.

Në një deklaratë në faqen e internetit të Ministrisë Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme thuhet:

"Për shkak të kufizimeve në rritje në trafikun ajror midis Rusisë dhe Evropës, rekomandohet fuqimisht që francezët që kalojnë nëpër Rusi (turistët, vizitorët, studentët, profesionistët në mision) të marrin masa për t'u larguar nga vendi pa vonesë me lidhjet ajrore ekzistuese."

22:44 27.2.2022

Situa në Ukrainë vazhdon të mbetet kritike. Ne jemi duke raportuar në kohë reale për të gjitha zhvillimet që nga dita e parë e fillimit të luftimeve. Në vijim po ju sjellim një përmbledhje të shkurtër të lajmeve të ditës që kanë karakterizuar luftimet në Ukrainë.

  • Në orët e mbrëmjes u konfirmuar nga zyrtarët ukrainas se takimi në mes të delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës do të zhvillohet në orët e hershme të mëngjesit të së hënës.
  • BE-ja tha se ka frikë se kriza e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës mund të përhapet në vendet fqinje, duke përfshirë Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor.
  • Autoritetet ruse kanë arrestuar rreth 2,000 qytetarë që kanë marrë pjesë në protesta kundër pushtimit rus të Ukrainës. Siç raportohet, deri më tani numri i të arrestuarave ka shkuar në mbi 5,000 persona.
  • Rusia pranoi se ka pësuar disa humbje në njerëz nga luftimet në Ukrainë.
  • Bashkimi Evropian ka vendosur të mbyllë hapësirën ajrore për avionët në pronësi ruse, të regjistruar rus ose të kontrolluar nga Rusia.
  • Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar ushtrinë e tij që të vendosë forcën parandaluese – një referencë për njësitet që përfshin edhe krahun bërthamor – në gatishmërinë më të lartë, duke cituar deklaratat agresive të liderëve të NATO-s dhe sanksionet ekonomike
  • Franca u tha qytetarëve të saj të largohen nga Rusia.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG