Finlanda dhe Irlanda bllokojnë fluturimet ruse
Finlanda dhe Irlanda u janë bashkuar disa vendeve tjera evropiane që kanë bllokuar hapësirën ajrore për aeroplanë rusë.
Finlanda ndan një kufi prej 1,300 kilometrash me Rusinë.
Vende tjera si Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë marrë vendime të ngjashme.
Moska, në anën tjetër, ka bllokuar aeroplanë nga disa shtete që të fluturojnë mbi territorin e saj.
Ministrja britanike: Lufta mund të jetë fillimi i fundit të Putinit
Sulmi i ushtrisë ruse në Ukrainë “mund të jetë fillimi i fundit” të presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë Sekretarja e Jashtme britanike, Lizz Truss.
Duke folur për mediumin Sky News, Truss ka thënë se “ne po shohim rezistencë të fuqishme ukrainase” dhe Mbretëria e Bashkuar “do të vazhdojë të furnizojë ata me armë dhe mbështetje ekonomike”.
Ajo ka thënë se beson që Putin është duke bërë “gabim strategjik”, duke marrë parasysh dëmin që do të shkaktojnë sanksionet në ekonominë ruse.
Mirëpo ajo ka sugjeruar se lufta mund të vazhdojë “për disa vjet”, duke shtuar: Frikësohem se kjo gjë nuk do të përfundojë shpejt”.
“Frikësohem se ky konflikt do të jetë shumë, shumë i përgjakshëm”.
Kur është pyetur për sanksionet britanike, Truss ka thënë se është përpiluar “një listë me oligarkë” dhe ka sugjeruar se do të ketë “një program të vazhdueshëm të sanksioneve”.
Lufta në Ukrainë do të nxisë “kosto ekonomike” në Mbretëri të Bashkuar, ka thënë mes tjerash ajo.
Putin pezullohet nga federata e xhudos
Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka pezulluar presidentin rus, Vladimir Putin si president nderi dhe ambasador.
Presidenti rus mban rripin e zi në xhudo.
Ky vendim është një nga “sanksionet’ që i janë vënë Rusisë në sport ditëve të fundit.
Gara e Formula 1, që pritej të mbahej në Soçi në muajin shtator, është anuluar.
Më herët gjatë javës edhe finalja e Ligës së Kampionëve në futboll është bartur nga Shën Peterburgu në Paris.
Putin falënderon forcat speciale të Rusisë
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të dielën një adresim televiziv, në të cilin ka falënderuar ushtarët e forcave speciale që “janë duke përmbushur me heroizëm detyrat e tyre ushtarake” në Ukrainë.
Putin ka thënë se ushtarëve u është kërkuar të ofrojnë ndihmë për “popullin e republikave në Donbas” – referencë për dy rajonet e kontrolluara nga rebelët në lindje të Ukrainës, të cilat Rusia i ka njohur si shtete të pavarura para pushtimit.
“Dua të falënderoj komandën, personelin e forcave të operacioneve speciale, veteranët e njësiteve speciale për besnikërinë e tyre ndaj betimit dhe për shërbimin e përsosur në emër të Rusisë dhe tokës sonë të mrekullueshme”, ka thënë ai.
Ai e ka përfunduar mesazhin duke thënë: “Ju dëshiroj fat të mirë, sukses dhe të gjitha të mirat për ju dhe më të dashurit tuaj”.
Ky adresim është bërë për të shënuar ditën e forcave speciale të Rusisë, e cila festohet çdo 27 shkurt, prej vitit 2015.