Rumania mbyll hapësirën ajrore për aeroplanët rusë
Rumania ka mbyllur hapësirën ajrore për aeroplanët komercialë rusë, pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë.
Leja për kalime ajrore dhe aterrime të kompanive ruse do të pezullohet, ka thënë Qeveria e Rumanisë.
Vetëm fluturimet e lidhura me ndihmë humanitare apo urgjenca tjera do të përbëjnë përjashtim.
Edhe shtete tjera të Bashkimit Evropian, përfshirë Poloninë, Republikën Çeke dhe Bullgarinë, tashmë kanë mbyllur hapësirat e tyre ajrore për kompanitë ruse.
Gjermania po përgatitet për të vepruar njëjtë.
Bota proteston kundër luftës në Ukrainë
Mijëra persona në botë kanë marrë pjesë në protesta pro-Ukrainës dhe për të dënuar luftën e Rusisë në këtë shtet.
Pushtimi i Moskës ka nxitur zemërim global dhe ka rezultuar me sanksione nga shtetet e Perëndimit, disa të drejtuara edhe kundër vetë presidentit rus, Vladimir Putin.
Më 26 shkurt, protesta janë mbajtur në disa qytete evropiane, por edhe në Teheran.
Për protesta është raportuar edhe në Nju Jork dhe Izrael.
Zelensky: Nuk bisedojmë me Rusinë në Bjellorusi
Rusia ka thënë se një delegacion rus ka arritur në Bjellorusi – gjoja për bisedime me Ukrainën.
Mirëpo presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka refuzuar këtë ofertë, duke thënë se bisedimet në Minsk do të mund të ndodhnin nëse Rusia nuk do ta sulmonte Ukrainën nga territori bjellorus.
Megjithatë, ai e ka lënë derën e hapur për negociata në vende tjera.
“Natyrisht se ne duam paqe, ne duam të takohemi, ne duam që lufta të marrë fund. Varshavë, Bratislavë, Budapest, Stamboll, Baku – ne ua kemi ofruar këto vende rusëve.
“Secili qytet tjetër neve na përshtatet – nga i cili nuk janë nisur raketa drejt nesh. Kjo është mënyra e vetme që negociatat të jenë të sinqerta dhe që mund t’i japin fund luftës”.
Depoja e naftës afër Kievit përfshihet nga flakët
Ministria e Mbrojtjes në Ukrainë ka publikuar të dielën këto pamje të zjarrit në një depo të naftës, afër një baze ajrore në Vasikiv. Radio Evropa e Lirë nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e këtij materiali.