Abramovich heq dorë nga klubi i futbollit Chelsea FC
Miliarderi rus Roman Abramovich ka dorëzuar administrimin e klubit të futbollit Chelasa FC të cilin e ka në pronësi që nga viti 2003.
Përmes një letre për media Abramovich ka bërë të ditur largimin porse nuk ka dhënë arsyet e sakta.
Administrimi i klubit i është lënë fondacionit bamirës të klubit.
“Besoj se aktualisht ata janë në pozitën më të mirë për t'u kujdesur për interesat e klubit, lojtarëve, stafit dhe tifozëve", thuhet në letrën e Abaramovich.
Pas nisjes së luftimeve në Ukrainë, deputeti laburist Chris Bryant i kërkoi qeverisë britanike të premten të konfiskojë pasuritë e miliarderit rus dhe pronarit të Chelsea FC, Roman Abramovich, duke përmendur shqetësimet për lidhjet e dyshuara me korrupsion.
Abramovich u identifikua nga Zyra e Brendshme në vitin 2019 se kishte lidhje me shtetin rus, si dhe me "aktivitete dhe praktika korruptive", tha Bryant, duke sugjeruar se Mbretëria e Bashkuar duhet të konfiskojë asetet e tij dhe ta ndalojë atë të zotërojë klubin e futbollit.
Abramovich, i cili bëri pasurinë e tij në industrinë e naftës dhe gazit në vitet e 90-ta, u bë pronar i kompanive që kontrollojnë ekipin Chelsea FC në vitin 2003. Ai vazhdimisht u kritikua si njeri i afërt i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Një numër vendesh perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj Putinit dhe ministrit të tij të jashtëm, Sergej Lavrov ditët e fundit, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Bashkimin Evropian si dhe SHBA-në.
Zelensky e quan gjenocid luftën e Rusisë ndaj Ukrainës
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për "gjenocid" në luftën e saj kundër Ukrainës.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet t'i klasifikojë veprimet e Rusisë si "gjenocid", shkroi ai në Twitter të shtunën në mbrëmje.
Për më tepër ai tha se Rusisë duhet t'i hiqet e drejta e votës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Më herët, Zelensky kishte folur me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Ministrat e jashtëm të BE-së do të takohen të dielën për të diskutuar mbi Ukrainën
Kryediplomati i Bashkimit Evropian Josep Borrell ka thirrur një tjetër takim special të ministrave të jashtëm të BE-së për të dielën, për të diskutuar për sulmin e vazhdueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës.
Takimi, i planifikuar për në orën 18:00 pritet të vendosë për masat e mëtejshme për të ndihmuar Ukrainën.
“Unë po thërras një takim virtual të ministrave të jashtëm të BE-së nesër në orën 18:00 për të miratuar masa të mëtejshme në mbështetje të Ukrainës, kundër agresionit nga Rusia”, shkroi ai në Twitter.
"Unë do të propozoj një paketë ndihme urgjente për forcat e armatosura të Ukrainës, për t'i mbështetur ato në luftën e tyre heroike," tha Borrell.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se dërgimi i ndihmës ushtarake nga BE-ja në Ukrainë duhet të lehtësohet dhe shkroi në Twitter se "Ukraina Demokratike do të triumfojë".
Kievin e "mbulon" pritja
Një shtetrrethim në mbarë qytetin ka hyrë në fuqi në Kiev dhe do të zgjasë deri të hënën në mëngjes.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko tha të shtunën se kushdo që shihet në rrugë do të konsiderohet si një "diversant" rus dhe kështu popullsia është mbyllur nëpër shtëpi, qendra strehimi, bodrume dhe stacione metroje ndërsa presin një sulm të ri rus.
Sirenat paralajmëruese të sulmeve janë lëshuar në orët e mbrëmjes në qytetin e Kievit.