Dy të vrarë nga sulmi me raketë në një ndërtesë në Kiev
Autoritetet ukrainase kanë konfirmuar se dy persona janë vrarë pas një sulmi me raketë në një ndërtesë banimi në Kiev.
Sulmi ndodhi mëngjesin e 26 shkurtit.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës tha po ashtu se edhe gjashtë persona janë plagosur rëndë nga sulmi në Kiev.
Komisionari i BE-së kërkon që Rusia të ndalojë sulmet ndaj civilëve
Komisionari i Bashkimit Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic, dënoi sulmet ruse ndaj civilëve dhe instruktuarës civile në Ukrainë.
“Kjo qartësisht është shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar. Granatimi i instruktuarës civile duhet të ndalojë”, tha ai përmes një postimi në Twitter.
Një ndërtesë banimi në Kiev dhe një aeroport ishin cak i sulmeve me raketa mëngjesin e së shtunës.
Sipas autoriteteve ukrainase, nga sulmi me raketë në ndërtesën e banimit në Kiev janë vrarë dy persona dhe gjashtë persona të tjerë janë plagosur rëndë.
Gjermania do t’i dërgojë Ukrainës armë anti-tank dhe armë kundërajrore
Gjermania ka miratuar dërgimin e një sasie të konsiderueshme armësh për Ukraninën e cila prej tri ditësh është duke u përballur me luftime kundër forcave ruse.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, në Twitter ka njoftuar se bëhet fjalë për njëmijë armë anti-tank si dhe raketa të tipit stringer, armë kundërajrore.
“Pushtimi rus shënon një pikë kthese. Është detyra jonë të mbështesim Ukrainën më miri që mundemi për t'u mbrojtur kundër ushtrisë pushtuese të Putinit. Kjo është arsyeja pse ne po dërgojmë 1,000 armë kundër-tank dhe 500 raketa Stinger për miqtë tanë në Ukrainë”, ka shkruar kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Ky vendim është një kthesë të madhe në politikën e kahershme gjermane për ndalimin e eksportit të armëve në zonat e konfliktit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, i cili është duke qëndruar në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, ka përshëndetur vendimin e qeverisë gjermane. Zelenskyi ka thënë se është duke vepruar koalicioni kundër luftës.
“Gjermania sapo ka njoftuar ofrimin e granatahedhësve kundër-tank dhe raketave Stinger për Ukrainën. Vazhdo kështu, kancelar Olaf Scholz. Koalicioni kundër luftës në veprim”, ka shkruar presidenti Volodymyr Zelenskyi.
Deri më tani edhe disa shtete të tjera evropiane duke përfshirë Holandën që njoftoi se do të dërgojë 200 raketa Stinger në Ukrainë si dhe Republika Çeke që tha se do të dërgojë armatim në vlerë prej 8.5 milionë dollarësh.
Ndërkohë edhe Britania e Madhe tha se është e gatshme që t’i ofrojë Ukrainës mbështetje shtesë ushtarake, përfshirë armë mbrojtëse vdekjeprurëse si dhe garanci për kredi, me qëllim që të ndihmojë Kievin “që të përballojë agresionin rus”.
“Kjo pako do të përfshijë ndihmë vdekjeprurëse në formë të armëve mbrojtëse si dhe ndihmë jovdekjeprurëse”, tha kryeministri Boris Johnson para Parlamentit britanik më 23 shkurt.
Britania është në mesin e shteteve më të zëshme në Perëndim që ka dënuar veprimet ruse dhe ka mbështetur Ukrainën. Britania po ashtu ka vendosur sanksione ndaj Moskës.
Në rrugët e Kievit shihen armët ruse të shkatërruara dhe automjetet e djegura
Pajisjet ushtarake ruse të shkatërruara dhe automjete të djegura u panë në rrugët e Kievit më 26 shkurt, ndërsa forcat ruse vazhduan sulmin e tyre në kryeqytetin ukrainas. Banorët në një lagje në perëndim të qytetit thanë se dëgjuan shpërthime të mëdha në orët e para të mëngjesit që thyen xhamat e dyqaneve, lokaleve dhe ndërtesave të banimit.