Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
16:03 26.2.2022

Pse Ukraina nuk është anëtare e NATO-s?

Shumë e shohin çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO si thelbësore për tensionet dhe krizën që kulmoi me nisjen e pushtimit të Ukrainës nga Rusia natën e 24 shkurtit.

Megjithatë, ka shpjegime të tjera se pse Rusia pushtoi Ukrainën.

Artikullin e plotë mund ta lexoni KËTU

Një tank ukrainas duke marrë pjesë në stërvitjet e organizuara nga NATO më 2018.
Një tank ukrainas duke marrë pjesë në stërvitjet e organizuara nga NATO më 2018.

16:19 26.2.2022

Ministri ukrainas: Banorëve të Kievit u janë shpërndarë 25,000 armë automatike

Teksa forcat ruse po avancojnë drejt qendrës së Kievit, autoritetet ukrainase thanë se u kanë shpërndarë qytetarëve mijëra armë.

Një total prej 25,000 armëve automatike si dhe 10 milionë fishekë janë shpërndarë, tha ministri i Brendshëm i Ukrainës, Denys Monastyrsky, përmes një videoje të publikuar të shtunën.

Ai po ashtu shtoi se edhe armë anti-tank janë shpërndarë.

“Kievi do ta mbrojë veten”, tha ai.

Monastyrsky tha se qytetarët po angazhohen vet që të mbrojnë shtëpitë e tyre.

16:51 26.2.2022

Kadyrov: Luftëtarët çeçenë u janë bashkuar Rusisë në pushtimin e Ukrainës

Lideri i rajonit rus të Çeçenisë tha se ka dislokuar luftëtarët e tij në Ukrainë për t’iu bashkuar trupave ruse në betejë.

Në një video të postuar online, Ramzan Kadyrov, pretendoi se forcat çeçene deri më tani kanë arritur të marrin nën kontroll objekte të ushtrisë ukrainase, pa pësuar viktima.

Lideri i republikës jugore ruse është aleat kyç i presidentit, Vladimir Putin.

Duke justifikuar pushtimin, ai tha se vendimi i Putinit për të sulmuar Ukrainën do të mbrojë Moskën nga “armiqtë që ta përdorin këtë shtet për të kryer sulme ndaj Rusisë”.

Luftëtarët çeçenë, që janë besnikë të Kadyrovit, kanë reputacion famëkeq dhe akuzohen për shkelje të të drejtave të njeriut.

Ramzan Kadyrov.
Ramzan Kadyrov.

17:01 26.2.2022

Rusia urdhëron ushtrinë të zgjerojë ofensivën në Ukrainë

Ushtarëve rusë u janë dhënë urdhra që të zgjerojnë ofensivën në Ukrainë “nga të gjitha drejtimet” pasi Kievi ka refuzuar që të zhvillojë bisedime me Moskën në Bjellorusi, tha të shtunën Ministria ruse e Mbrojtjes.

“Pasi pala ukrainase refuzoi procesin e negociatave, sot të gjitha njësive u është dhënë urdhri të zhvillojnë avancim nga të gjitha drejtimet në përputhje me planet operacionale”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i ushtrisë ruse, Igor Konashenkov.

Fotografi të tankeve ruse në Mariupol më 24 shkurt, ditën kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
Fotografi të tankeve ruse në Mariupol më 24 shkurt, ditën kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG