Përshëndetje për të gjithë ju që sapo jeni kyçur në blogun tonë!
Lajmet e fundit janë këto:
- Kryebashkiaku i Kievit zgjati shtetrrethimin në kryeqytetin e Ukrainës, i cili është duke u sulmuar rëndë nga forcat ruse.
- Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se pjesa më e madhe e forcave ruse, të përfshira në ofensivën kundër Kievit, janë tani 30 km larg nga qendra e qytetit.
- Trupat ruse pushtuan qytetin juglindor të Ukrainës, Melitopol, tha Ministria ruse e Mbrojtjes, ndërsa Moska nisi sulme të koordinuara me raketa dhe artileri në disa qytete.
- Së paku 198 ukrainas, përfshirë tre fëmijë, janë vrarë si rezultat i pushtimit rus, citohet të ketë thënë ministri i Shëndetësisë i Ukrainës, Viktor Lyashko.
- Flukset e refugjatëve vazhdojnë të rriten. Polonia tha se ka pranuar rreth 100,000 refugjatë në më pak se tri ditë. Ata kanë gjetur strehim të përkohshëm në sallat sportive dhe stacionet e trenave.
- Vendimi për të shkëputur Rusinë nga sistemi global i pagesave SWIFT do të merret brenda disa ditësh, tha për agjencinë Reuters guvernatori i një banke qendrore brenda Eurozonës.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në një video-adresim se forcat e vendit të tij kanë prishur një plan të Rusisë për ta kapur atë dhe për të sjellë një udhëheqës të tyre në krye të shtetit.
- Presidenti rus, Vladimir Putin, i kërkoi ushtrisë së Ukrainës që të rrëzojë udhëheqjen e vendit dhe të negociojë paqen.
- Ukraina dhe Rusia po diskutojnë për vendin dhe kohën e bisedimeve, tha zëdhënësi i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në mediat sociale.
- Kompania ruse e energjisë Gazprom tha se po vazhdon furnizimet me gaz nëpërmjet Ukrainës, në përputhje me kërkesat e konsumatorëve evropianë, pavarësisht konfliktit ushtarak.
Turqia i kërkon Rusisë të ndalojë sulmet kundër Ukrainës
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, kërkoi nga homologu rus, Sergei Lavrov, që të ndalë ofensivën e Moskës kundër Ukrainës.
Agjencia e lajmeve AFP raporton se Cavusoglu dhe Lavrov biseduan të shtunën përmes telefonit.
Cavusoglu i tha Lavrovit se përshkallëzimi i mëtejshëm ushtarak nuk do të sillte përfitime për askënd, raporton AFP.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë më herët se Turqia po përpiqet të punojë drejt shpalljes së një armëpushimi të menjëhershëm "për të parandaluar humbje të mëtejshme të jetëve dhe për të parandaluar dëme të mëtejshme në Ukrainë".
Cavusoglu përsëriti "gatishmërinë e Turqisë për të organizuar negociata midis Federatës Ruse dhe Ukrainës".
Orban: Hungaria nuk do t'i bllokojë sanksionet kundër Rusisë
Hungaria do t'i mbështesë të gjitha sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe nuk do të bllokojë asgjë, tha kryeministri i këtij vendi, Viktor Orban.
“Atë që e vendosin kryeministrat e BE-së, e pranojmë dhe e mbështesim edhe ne", tha Orban, duke folur në kufirin midis Hungarisë dhe Ukrainës.
"Kjo është koha për të qenë të bashkuar. Është luftë", tha ai dhe shtoi se përpjekjet për paqe janë më të rëndësishmet.
Sipas gazetës britanike Guardian, Orban është konsideruar më herët si njëri nga aleatët më të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, brenda BE-së.
Bashkimi Evropian, deri më tani, ka shpallur tri runde sanksionesh kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Mijëra persona protestojnë në Frankfurt kundër pushtimit rus
Mijëra persona kanë protestuar të shtunën në qytetin gjerman të Frankfurtit kundër pushtimit rus të Ukrainës.
Duke mbajtur flamuj të Ukrainës, pjesëmarrësit kanë shprehur solidaritetin e tyre për popullin e Ukrainës.
Protesta u organizua nga Partia e Gjelbër nën moton “Solidaritet me Ukrainën – Paqe në Evropën Lindore”.
Disa prej panove shkruante: “Ndaloni Putinin – Ndaloni luftën”.