Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
13:19 26.2.2022

Zelensky: Plani rus për të më kapur, u prish

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në një video-adresim se forcat e vendit të tij kanë prishur një plan të Rusisë për ta kapur atë dhe për të sjellë një udhëheqës të tyre në krye të shtetit.

“Ne kemi prishur planin e tyre”, tha Zelensky.

Ai u bëri thirrje rusëve që t’i bëjnë presion presidentit të tyre, Vladimir Putin, për ta ndalur pushtimin e Ukrainës.

Forcat e Ukrainës kanë nën kontroll Kievin dhe qytetet kryesore përreth tij, tha ai.

Zelensky refuzoi ndihmën amerikane për evakuim, duke thënë se “lufta është këtu” në Ukrainë.

Forcat pushtuese ruse raportohet se janë duke lëvizur drejt kryeqytetit Kiev, pas një breshërie sulmesh ajrore në qytete dhe baza ushtarake në të gjithë Ukrainën.

13:45 26.2.2022

Rusia urdhëron mediat t’i fshijnë artikujt me fjalët “pushtim” ose “sulm”

Agjencia ruse e monitorimit të mediave, Roskomnadzor, i urdhëroi mediat që t’i fshijnë raportet që përdorin fjalët: “sulm”, “pushtim” ose “shpallje lufte”, për të përshkruar inkursionin e paprovokuar ushtarak të Rusisë në Ukrainën fqinje.

Agjencia tha se ka nisur hetime për “përhapjen e informacioneve jo të besueshme” kundër gazetës së pavarur Novaya Gazeta dhe mediave të tjera, si: Ekho Moskvy, InoSMI, Mediazona, New Times e Dozhd.

Crimea.Realities e Radios Evropa e Lirë është po ashtu në listë.

Këto media akuzohen për publikimin e “informacioneve të pasakta në lidhje me granatimet e qyteteve të Ukrainës dhe viktimat civile në Ukrainë, si rezultat i veprimeve të ushtrisë ruse”.

Nëse mediat refuzojnë t’i fshijnë raportet, Roskomnadzor kërcënoi se do t'i bllokojë ato.

Roskomnadzor tha se mediat mund të gjejnë “informacione të besueshme” vetëm nga “agjencitë zyrtare të informimit”.

Për më shumë, lexoni këtu.

13:56 26.2.2022

Holanda dërgon raketa tokë-ajër në Ukrainë

Qeveria e Holandës njoftoi se do të dërgojë 200 raketa Stinger në Ukrainë.

Ajo tha se vendimi u mor pas kërkesës nga Ukraina, për ta ndihmuar atë që të mbrohet kundër sulmeve të Rusisë.

Raketat Stinger janë armë tokë-ajër që mund të përdoren kundër avionëve dhe helikopterëve.

Holanda ka rënë dakord javën e kaluar për t’i ofruar armë dhe pajisje ushtarake Ukrainës, duke përfshirë snajperë, pajisje radari dhe detektorë të minave tokësore.

Qeveria tha se një pjesë e kontingjentit dërgohet sot (26 shkurt), ndërsa pjesa tjetër do të pasojë “sa më shpejt”.

Pak orë më parë, edhe Qeveria çeke miratoi dërgimin e armëve dhe municioneve në Ukrainë.

Ministria çeke e Mbrojtjes tha se ndihma kap vlerën e mbi 8.5 milionë dollarëve.

Kiev, 26 shkurt, 2022.
Kiev, 26 shkurt, 2022.

14:18 26.2.2022

Vendet baltike do të mbyllin hapësirën ajrore për Rusinë

Vendet baltike, Letonia, Lituania dhe Estonia, u pajtuan në parim për mbylljen e hapësirës së tyre ajrore për avionët rusë, tha ministri lituanez i Transportit, Marius Skuodis.

“Plani ynë është që ta hedhim hapin njëkohësisht”, shkroi Skuodis në Facebook.

Këto ditë, pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, edhe Bullgaria, Polonia dhe Republika Çeke i kanë ndaluar fluturimet ruse mbi territoret e tyre.

Më herët, Rusia ka ndaluar të gjitha kompanitë britanike mbi hapësirën e saj ajrore, pasi Londra i ka ndaluar fluturimet në Britani të transportuesit rus, Aeroflot.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG