Kovaçevski: Lufta në Ukrainë, pasoja për sigurinë dhe ekonominë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se pushtimi i Ukrainës nga Rusia paraqet kërcënim për paqen dhe stabilitetin në botë.
Në një fjalim të mbajtur të shtunën, ai tha se agresioni ushtarak “është shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe kërcënim për sigurinë euroatlantike”.
“Ne, së bashku me aleatët, kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive. Shekulli 21 duhet të jetë shekull i dialogut, jo i luftës”, tha ai.
Kovaçevski shtoi se gjendja e sigurisë në Maqedoninë e Veriut është stabile dhe se, aktualisht, nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin e këtij vendi.
“Qytetarët duhet të jenë të qetë, sepse, si shtet anëtar i NATO-s, ne mund të llogarisim në mbrojtjen që ofron aleanca më e fuqishme ushtarake në botë. Edhe pse dëshira jonë është të shmangim situata të tilla, megjithatë, në kushte të tilla të destabilizimit të madh të sigurisë, e kuptojmë se sa e rëndësishme është të jesh pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarako-politike”, tha Kovaçevski.
Për më shumë, lexoni këtu.
Polonia refuzon ndeshjen me Rusinë
Polonia tha se nuk do të luajë ndeshjen e eliminimit kundër Rusisë, të vlefshme për Kupën e Botës në Futboll 2022, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Ndeshja ishte paraparë të zhvillohej në Moskë, më 24 mars.
"Nuk ka më fjalë, është koha të veprojmë", tha presidenti i Federatës polake të Futbollit, Cezary Kulesz.
Zelensky: Italia mbështet përjashtimin e Rusisë nga SWIFT
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Italia mbështet përjashtimin e Rusisë nga sistemi bankar SWIFT.
"Ky është fillimi i një faqeje të re në historinë e vendeve tona", shkroi Zelensky në Twitter, pas një bisede telefonike që tha se zhvilloi me kryeministrin e Italisë, Mario Draghi.
Sistemi SWIFT shërben si ndërmjetës dhe ekzekutues i transaksioneve financiare ndërmjet bankave në mbarë botën.
Rusia e shfrytëzon shumë sidomos për pagesat e eksportit të gazit.
Përjashtimi nga SWIFT do ta dëmtonte ekonominë ruse, sepse transaksionet e përditshme do të duhej të bëheshin direkt midis bankave. Një gjë e tillë mund të shkaktojë vonesa dhe të jetë më e shtrenjtë.
Ukraina: 198 njerëz të vrarë në ofensivën ruse
Ministri i Shëndetësisë i Ukrainës, Viktor Lyashko, tha se 198 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 1,000 të tjerë janë plagosur në ofensivën ruse.
Ai nuk e sqaroi nëse viktimat përfshijnë vetëm ushtarakë, apo edhe civilë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë tha se mbi 120,000 refugjatë ukrainas janë larguar nga vendi i tyre qëkur Rusia filloi sulmet më 24 shkurt.
Zëvendëskomisionarja e Lartë e OKB-së për Refugjatët, Kelly Clements, tha në një intervistë për rrjetin televiziv CNN se situata pritet të përkeqësohet.
Shumica e refugjatëve janë duke shkuar në Poloni dhe Moldavi, por edhe në Rumani, Sllovaki dhe Hungari.