Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
01:36 26.2.2022

Rusia bllokon rezolutën e SHBA-së dhe Shqipërisë për Ukrainën

Rusia vuri veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten, sipas të cilës, është kërkuar që Moska të ndalojë menjëherë sulmin e saj ndaj Ukrainës dhe të tërheqë të gjitha trupat.

Njëmbëdhjetë nga 15 anëtarët e këshillit votuan për rezolutën, e cila u hartua nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria. Kina, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe abstenuan.

Dështimi i rezolutës hap rrugën që mbështetësit të bëjnë thirrje për një votim të shpejtë për një rezolutë të ngjashme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së prej 193 anëtarësh, ku nuk ka veto.

01:56 26.2.2022

Lexues të nderuar, këtu e mbyllim mbulimin direkt për zhvillimet në Ukrainë. Rikthehemi nga ora 07:00.

Ndërkaq, më poshtë mund të lexoni në pika të shkurtra zhvillimet kryesore të ditës në Ukrainë:

  • Ukraina thotë se është e gatshme për bisedime të paqes pasi Kremlini propozon takim me delegacionin ukrainas
  • Trupat ruse avancojnë drejt Kievit, teksa presidenti ukrainas paralajmëron sulm rus
  • BE-ja dhe SHBA-ja sanksionojnë presidentin rus, Vladimir Putin dhe kryediplomatin rus, Sergei Lavrov
  • Vritet një shtetasit shqiptar, pjesëtar i ushtrisë ukrainase
  • Serbia thotë se nuk do ta sanksionojë Rusinë
  • NATO njofton për dërgimin e trupave shtesë në krahun lindor të aleancës

06:48 26.2.2022

Mirëmëngjesi për të gjithë!

Ora në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, është 07:48.

Media të ndryshme raportojnë për luftime të ashpra atje.

Forcat ukrainase po bëjnë përpjekje të zmbrapsin ushtrinë ruse, e cila synon të marrë kontrollin e Kievit.

Forcat e Armatosura të Ukrainës thanë se në një pjesë të qytetit ka “betejë të ashpër”, ndërsa “luftimet aktive” po zhvillohen në disa rrugë.

Më shumë se 50 shpërthime dhe të shtëna me artileri të rëndë janë dëgjuar në kryeqytet, raportoi gazeta Kyiv Independent.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Danilov, tha se ushtria e ka nën “kontroll” situatën në Kiev.

“Ne po e ndalojmë hordhinë, duke i përdorur të gjitha mjetet në dispozicion”, tha ai, raporton ueb-faqja ukrainase e lajmeve Lb.ua.

Kiev, 26 shkurt, 2022.
Kiev, 26 shkurt, 2022.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi më herët se Rusia do të përpiqet “të sulmojë” Kievin të premten mbrëma.

“Këtë natë, armiku do t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të thyer rezistencën tonë”, tha ai.

“Fati i Ukrainës po vendoset pikërisht tani... Qëllimi ynë kryesor është ta përfundojmë këtë gjakderdhje”, tha Zelensky.

07:16 26.2.2022

Lajme të tjera:

  • Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk miratoi rezolutën që do të dënonte pushtimin rus të Ukrainës, pasi Rusia përdori veton.
  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i bëri thirrje ushtrisë së Ukrainës t’i rrëzojë liderët politikë.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ra dakord për bisedime për armëpushim.
  • Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe ngrinë pronën e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe të ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov.
  • Presidentja e Parlamentit Evropian, Robert Metsola, paralajmëroi mundësinë e përjashtimit të Rusisë nga sistemi ndërkombëtar i pagesave.
  • NATO-ja aktivizoi planet e mbrojtjes në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
  • Trafiku ajror rus, përfshirë linjat ajrore komerciale dhe avionët privatë, u ndalua në disa vende të Evropës.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG