Makina e blinduar shtyp një shofer në Kiev
SHBA-ja do ta sanksionojë Putinin dhe Lavrovin
Shtetet e Bashkuara do t’i bashkohen Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, konfirmoi të premten Shtëpia e Bardhë.
Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se vendimi është marrë pas një telefonate që presidenti amerikan, Joe Biden, ka zhvilluar me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Shtetet e Bashkuara do t’i bashkohen BE-së në sanksionimin e presidentit Putin dhe ministrit Lavrov dhe anëtarëve të ekipit të sigurisë kombëtare ruse”, tha ajo për gazetarët.
E pyetur pse Biden nuk e kishte sanksionuar Putinin në rundin e dytë të sanksioneve, që u miratuan një ditë më parë, Psaki tha se opsioni për sanksionimin e Putinit “ka qenë duke u shqyrtuar për një kohë”.
“Qëndrimi i fortë i presidentit dhe parimi i fortë i tij që prej fillimit të këtij konflikti, por edhe para se të niste, ishte që veprimet dhe hapat do të merren në bashkërendim me partnerët tanë evropian, dhe ky është një shembull i kësaj”, tha Psaki.
Të premten, BE-ja dhe Britania e Madhe njoftuan se në listën e sanksioneve kanë futur presidentin Putin dhe ministrin Lavrov dhe kjo masë përfshirë ngrirjen e aseteve.
Presidenti ukrainas: Kjo natë do të jetë shumë e vështirë për Kievin
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyi, përmes një video-adresimi, tha se trupat ruse do ta sulmojnë Kievin në orët e ardhshme.
“Kjo natë do të jetë shumë, shumë e vështirë, por mëngjesi do të vjen”, tha ai.
“Sonte, armiku do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për ta thyer rezistencën tonë. Sonte ata do të nisin një sulm”, shtoi ai.
Sipas presidentit Zelenskyi, “fati i Ukrainës po vendoset tani”.
Ndërkaq, ai iu drejtua edhe me një mesazh qytetarëve të tij:
“Kjo ishte një ditë e vështirë, por e guximshme. Ne po luftojmë për vendin tonë në të gjitha vijat e frontit: në jug, në lindje, në veri, në shumë qytete të vendit tonë të bukur”.
Në Kiev, më herët gjatë të premtes janë raportuar për shpërthime, teksa forcat ruse po avancojnë drejt kryeqytetit ukrainas.
Kanadaja paralajmëron sanksione ndaj Putinit
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se Kanadaja do të vendosë sanksione të ashpra ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, shefit të Stafit të tij dhe Ministrit të tij të Jashtëm, Sergei Lavrov si dhe “njerëzve që mbajnë përgjegjësinë më të madhe për
vdekjet dhe shkatërrimin që ndodhi në Ukrainë”.
Ai shtoi se Kanadaja gjithashtu do të vendosë sanksione ndaj Bjellorusisë dhe liderëve të saj për nxitjen e pushtimit të Ukrainës të nisur nga Putini. Këto sanksione do të shënjestrojnë 57 individë.
Trudeau tha edhe se Kanadaja mbështet heqjen e Rusisë nga sistemi i pagesave SWIFT.