Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
20:26 25.2.2022

NATO forcon krahun lindor pas nisjes së luftës në Ukrainë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe homologët e tij të NATO-s u pajtuan të premten që të dërgojnë mijëra trupa për të mbështetur aleatët e tyre nga ajri dhe deti në afërsi të Rusisë dhe Ukrainës, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca do të dërgojë pjesë të Forcës për Reagim të NATO-s dhe elementet e një njësie për dislokim të shpejt në krahun lindor të aleancës. Kjo është hera e parë që NATO përdor këtë forcë për të mbrojtur aleatët.

Megjithatë, Stoltenberg nuk tregoi se sa trupa do të dërgohen apo kur do të dërgohen, por konfirmoi se do të jenë trupa tokësore, ajrore dhe detare.

“Ne tani po dislokojmë për herë të parë Forcën e Reagimit të NATO-s në kontekstin e mbrojtjes kolektive. Po flasim për mijëra trupa, po flasim për kapacitete ajrore dhe detare”, tha ai.

“Nuk duhet të ketë hapësirë për keqllogaritje apo keqkuptim. Ne do të bëjmë gjithçka që kërkohet për të mbrojtur çdo aleat dhe çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha ai.

Forca e Reagimit ka deri në 40,000 trupa, por Stoltenberg tha se NATO nuk do ta dërgojë të gjithë njësinë.

Më herët, aleanca më e madhe ushtarake në botë dërgoi rreth 5,000 trupa në Estoni, Lituani, Letoni dhe Poloni.

Disa prej 30 shteteve të NATO-s po e furnizojnë Ukrainën me armë, municion dhe pajisje ushtarake, por NATO, si organizatë nuk po dërgon furnizime. Kjo aleancë ka thënë se nuk do të nisë asnjë aksion ushtarak në mbështetje të Ukrainës, që është një partnere e ngushtë, por ende nuk ka prospekt që t’i bashkohet aleancës.

20:48 25.2.2022

Kryetari i Kievit thotë se janë dëgjuar pesë shpërthime

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se pesë shpërthime janë raportuar në mbarë kryeqytetin ukrainas. Ai tha se disa shpërthime janë dëgjuar në afërsi të një termocentrali, në veri të qytetit.

“Shërbimet e emergjencës janë duke u përgjigjur”, tha ai.

“Situata tani – pa ekzagjerim – është kërcënuese për Kievin”, shtoi ai.

Klitschko tha se nata do të jetë “shumë e vështirë”.

Më herët, autoritetet thanë se forcat ruse janë në periferi të Kievit, teksa shumë banorë janë strehuar në stacionet e metrove.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko.

21:05 25.2.2022

Rama: Pushtimi rus në Ukrainë ka goditur themelin e politikës ndërkombëtare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti të premten pushtimin rus të Ukrainës si “situatë tragjike”, ndërkohë që e vlerësoi atë si zhvillim që ka goditur themelin e politikës ndërkombëtare duke shprehur solidaritet me ukrainasit dhe udhëheqjen politik të Ukrainës.

“(Është) zhvillim që ka sfiduar gjithë arkitekturën e sigurisë në Evropë”, tha Rama në një konferencë shtypi të mbajtur pas samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s në orët e mbrëmjes së të premtes.

“Ka sfiduar edhe të gjithë ngrehinën institucionale të politikës ndërkombëtare duke goditur themelin e saj, të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar”.

Rama tha se Shqipëria është angazhuar krahas shteteve tjera anëtare të NATO-s të mirëpresë refugjatët që po largohen nga Ukraina, ndërkohë që theksoi se për dallim nga vendet e tjera evropiane që kanë varësi ekonomike dhe tregtare me Rusinë, implikimet e luftës në Ukrainë janë më të vogla për Shqipërinë.

Rama theksoi se Shqipëria është pjesë e aleancës së shteteve që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

21:29 25.2.2022

SHBA: Oferta e Putinit për bisedime nuk është diplomaci e vërtetë

Departamenti amerikan i Shtetit tha se oferta e presidentit rus, Vladimir Putin, për bisedime në Ukrainë, nuk “është diplomaci e vërtetë”.

Duke folur për gazetarët në Uashington të premten, zëdhënësi i DASH-it, Ned Price tha se diplomacia nuk mund të zhvillohet “nën tytën e armës”.

Sipas tij, që kjo të ndodhë, duhet të ndalojnë veprimet ushtarake ruse në Ukrainë dhe forcat ruse duhet të tërhiqen.

Deri më tani, shtoi Price, SHBA-ja nuk ka parë tregues se Putin ka vullnet që ta lë diplomacinë të jetë e suksesshme.

Më herët gjatë të premtes, Kremlini tha se Putin ishte “i gatshëm” për bisedime të nivelit të lartë me delegacionin e Ukrainës. Moska tha se këto bisedime do të mbaheshin në Minsk të Bjellorusisë. Kremlini tha se këto bisedime do të kishin në fokus “neutralitetin” dhe “çmilitarizimin” e vendit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG