Serbia nuk i vendos sanksione Rusisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke prezantuar përfundimet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, që u mblodh sot lidhur me luftën në Ukrainë.
Ai tha se Serbia tash për tash, nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë, sepse është duke "u udhëhequr me interesat tona vitale ekonomike dhe politike”.
Më shumë detaje për këtë lajm mund të gjeni KËTU
OKB: Për 48 orë, mbi 50,000 ukrainas janë larguar nga vendi
Më shumë se 50,000 persona janë larguar nga Ukraina që prej nisjes së pushtimit rus, tha shefi i agjencisë për refugjatë të Kombeve të Bashkuara.
“Më shumë se 50,000 ukrainas janë larguar nga vendi në 48 orët e fundit, shumica prej të cilëve kanë ikur në Poloni dhe Moldavi”, tha Filippo Grandi.
Ai shtoi se “shumë të tjerë janë duke lëvizur drejt kufijve”.
OKB-ja tha të enjten se afro 100,000 persona janë zhvendosur brenda vendit, që prej se Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
BE-ja vendos sanksione ndaj Putinit dhe Lavrovit
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë miratuar sanksionet e reja që shënjestrojnë presidentin rus, Vladimir Putin, dhe ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për pushtimin e Ukrainës.
Putin dhe Lavrov do të jenë subjekt i ngrirjes së aseteve, si pjesë e një pakoje masive të sanksioneve, që liderët e BE-së janë pajtuar gjatë një samiti urgjent të mbajtur pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se sanksionet do të shënjestrojnë të gjithë ata që kanë rol të rëndësishëm ekonomik në mbështetjen e regjimit të Putinit.
Bota hap dyert për ukrainasit