BE pritet të ngrijë asetet evropiane të Putinit dhe Lavrovit
Një zyrtar i bllokut evropian ka thënë se Bashkimi Evropian ka vendosur të ngrijë asetet evropiane të presidentit rus, Vladimir Putin dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavov, transmeton BBC.
Ende nuk është bërë e qartë nëse ndonjëri prej tyre ka asete të mëdha në BE.
Kremlini: Rusia, e gatshme të diskutojë me Ukrainën për “neutralitet”
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Rusia është e gatshme të bisedojë me Ukrainën në kryeqytetin bjellorus, Minsk, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, RIA Novosti.
Mirëpo ai ka thënë se në qendër duhet të jetë çështja që Ukraina të shpallë “status neutral” – i cili do të përfshijë “çmilitarizimin”.
Rusia ka kërkuar tash e një kohë që Ukraina të heqë dorë nga synimi për t’iu bashkuar NATO-s.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyi i ka kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin që të zhvillojnë negociata, mirëpo nuk pritet që ai të pajtohet të bisedojë në baza të tilla.
Minsku është i rëndësishëm sepse aty janë nënshkruar marrëveshjet që parashihnin dhënien fund të konfliktit në lindje të Ukrainës, i cili ka nisur më 2014.
Duke pushtuar Ukrainën, lideri rus duket se ka hequr dorë nga këto marrëveshje.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë më herët gjatë ditës se nuk do të ketë bisedime derisa ushtria ukrainase të ulë armët.
Kush, si ka raportuar për viktimat?
Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur të enjten, ndërsa të premten trupat ruse po i afrohen kryeqytetit ukrainas, Kievit.
- Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka thënë që më shumë se 1,000 trupa ruse janë vrarë
- Ministri britanik i Forcave të Armatosura, James Heappey, u ka thënë ligjvënësve se janë vrarë 450 ushtarë rusë dhe të paktën 194 ukrainas, përfshirë 57 civilë
- Kombet e Bashkuara kanë thënë se të paktën 25 civilë janë vrarë dhe 102 janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore në Ukrainë
- Rusia ka thënë se ka “eliminuar” 200 forca ukrainase dhe ka marrë kontrollin e bazës ajrore Hostomel afër Kievit – dhe 13 ukrainas janë vrarë duke mbrojtur të ashtuquajturin Ishullin e Gjarprit.
Pajisje ushtarake ukrainase hyjnë në Kiev për ta mbrojtur qytetin
Pajisjet ushtarake ukrainase kanë hyrë në Kiev për ta mbrojtur atë kundër forcave ruse që janë duke iu afruar qytetit, ka thënë Ministria e Brendshme e Ukrainës.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë më herët se qyteti “ka hyrë në fazën e mbrojtjes”.
Qeveria është duke iu bërë thirrje banorëve të Kievit që të bëjnë gjithçka që munden për t’iu rezistuar trupave ruse, duke përfshirë armët apo koktejet e molotovit.