Dy shpërthime janë dëgjuar në Kiev të Ukrainës
Dy shpërthime u dëgjuan në Kiev në orët e para të së premtes, më 25 shkurt, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax në Ukrainë.
Tinguj të ngjashëm u dëgjuan një ditë më parë kur, sipas zyrtarëve ukrainas, një bazë ushtarake në Brovary, një qytet afër Kievit, u godit nga raketat ruse të enjten, duke lënë gjashtë persona të vdekur.
Kina planifikon evakuimin e qytetarëve të saj nga Ukraina
Ambasada e Kinës në Ukrainë tha se po organizon fluturime evakuimi për qytetarët kinezë.
Një deklaratë e ambasadës të premten, 25 shkurt, thotë se kushtet në Ukrainë janë "përkeqësuar ndjeshëm", por nuk përmend pushtimin rus.
Ambasada nuk dha detaje se nga do të niseshin fluturimet e evakuimit duke thënë se planifikimi do të varet nga "situata e sigurisë së fluturimit".
Ambasada më herët këshilloi kinezët në Ukrainë që të qëndrojnë në shtëpi dhe të vendosin një flamur kinez në automjetet e tyre nëse planifikojnë të udhëtojnë në distanca të gjata.
Ministrat e jashtëm të BE-së mblidhen me urgjencë lidhur me krizën në Ukrainë
Ministrat e jashtëm nga 27 shtetet e Bashkimit Evropian do të takohen të premten për një seancë urgjente mbi pushtimin rus të Ukrainës.
Diplomatët thanë se takimi do të përfshijë diskutimin e opsioneve të mëtejshme për të mbështetur Ukrainën dhe mënyrën se si blloku duhet të merret me Rusinë tani e tutje.
Ky takim vie pasi udhëheqësit e BE-së ranë dakord për një paketë të re masive sanksionesh ndaj Rusisë të enjten mbrëma që shënjestron sektorët e energjisë, financave dhe transportit të vendit.
Ministri i Jashtëm ukrainas: Kievi u godit nga sulme të tmerrshme
MInistri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se kryeqyteti i Ukrainës ka pësuar nga sulme “të tmerrshme” të Rusisë.
“Sulme të tmerrshme me raketa nga Rusia në Kiev”, shkroi Kuleba në Twitter.
“Hera e fundit kur kryeqyteti ynë përjetoi diçka të ngjashme ishte në vitin 1941 kur u sulmua nga Gjermania naziste.Ukraina e mundi të keqen atëherë dhe do ta mund edhe këtë”, shkroi ai.
Kuleba bëri thirrje për sanksione më të forta ndaj Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin.
Ai kërkoi që shtetet të këpusin të gjitha lidhjet me Moskën dhe “të përjashtojnë Rusinë nga çdo vend”.
“Ndaleni Putinin, izolojeni Rusinë”, shkroi ai.