SHBA-ja falënderon Turqinë për mbështetjen ndaj Ukrainës
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë një bisede me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, e ka falënderuar Turqinë për mbështetjen e fuqishme ndaj mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
“Sekretari theksoi veprimet destruktive të Rusisë do të kenë ndikim në mbarë Evropën dhe botën”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se ka biseduar me Cavusolgun për hapat që duhen të ndërmerren që rajoni i Detit të Zi të ketë siguri.
“Siguria jonë e përbashkët është në rrezik”, tha ai.
Dita e parë e nisjes së sulmit rus ndaj Ukrainës
Më poshtë mund të gjeni një përmbledhje të zhvillimeve kryesore të ditës së parë të sulmit rus ndaj Ukrainës:
- Në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëron një “operacion ushtarak” në Ukrainë dhe disa minuta më vonë nisin granatimet e para
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy shpall gjendje lufte dhe i bën thirrje ukrainasve që ta mbrojnë vendin
- Autoritetet ukrainase thonë se po luftojnë në disa fronte: në Donbas në lindje, nga Bjellorusia në veri, dhe nga Krimeja e pushtuar në jug.
- Ministria e Shëndetësisë thotë se 57 persona janë vrarë dhe 179 janë plagosur gjatë ditës së parë të sulmit rus
- Ukraina thotë se ka humbur kontrollin e uzinës bërthamore të Çernobilit
- OKB-ja vlerëson se për shkak të konfliktit, afro 100,000 ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre, ndërkaq dhjetëra-mijëra të tjerë kanë kaluar kufijtë ndërkombëtarë
- SHBA njofton për sanksione të reja kundër Rusisë, që godasin sektorin bankar, të teknologjisë. Po ashtu në shënjestër të sanksioneve të reja janë eksportet dhe oligarkët rusë
- Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, telefonon homologun rus, Vladimir Putin, dhe i kërkon të ndalë menjëherë ofensivën në Ukrainë
- Liderët e BE-së pajtohen për pakon e re të sanksioneve, që sipas bllokut është “më e ashpra” e miratuar ndonjëherë
- Mijëra persona arrestohen në Rusi, në protestat kundër pushtimit të Ukrainës
Banorët strehohen në metronë e Kievit
Fotografitë e realizuara më 24 shkurt tregojnë se si civilët po strehohen në sistemin e metrosë së Kievit, teksa frika po rritet për sulme ajrore ruse ndaj kryeqytetit ukrainas.
Zelenskiy: 137 persona janë vrarë në ditën e parë të sulmit rus
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha se 137 shtetas ukrainas – ushtarë dhe civilë – u vranë të enjten, në ditën e parë të operacionit ushtarak rus kundër Ukrainës.
Zelenskiy po ashtu bëri të ditur se ka nënshkruar dekretin për urdhërimin e mobilizimit të përgjithshëm.
Të gjithë rezervistët janë thirrur në ushtri, thuhet në dekret. Ky dekret do të jetë në fuqi për 90 ditë.
Sipas një raporti të Global Firepower, Ukraina ka 250,000 forca rezerviste, aq sa ka edhe Rusia.