Ukraina thotë se janë vrarë 57 persona
Ministri i Shëndetësisë së Ukrainës, Oleh Lyashko, tha se 57 persona janë vrarë dhe 169 të tjerë janë plagosur të enjten, pasi Rusia nisi sulm në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës.
Ndërkaq, nga Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës kanë thënë se ka grantime të rënda në lindje të vendit, përkatësisht në rajonin Donjeck.
OKB: Afro 100,000 persona janë zhvendosur nga konflikti në Ukrainë
Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara tha se afro 100,000 persona në Ukrainë janë larguar nga shtëpitë e tyre, që prej se Rusia nisi operacionin ushtarak ndaj këtij shteti në mëngjesin e 24 shkurtit.
Ndërkaq, mijëra persona të tjerë janë larguar nga Ukraina.
“Ne besojmë se afro 100,000 persona janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe janë zhvendosur brenda shtetit. Ndërkaq, dhjetëra-mijëra të tjerë kanë kaluar kufijtë ndërkombëtar”, tha për AFP, zëdhënësja e UNHCR, Shabia Mantoo.
Macron kërkon nga Putin të ndalë menjëherë ofensivën në Ukrainë
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka kërkuar nga homologu i tij rus, Vladimir Putin, që “të ndalojë menjëherë” ofensivën në Ukrainë, tha Pallati Elize më 24 shkurt.
“Pasi ka biseduar me presidentin ukrainas dhe në koordinim me të, presidenti Macron e ka thirrur Vladimir Putinin dhe i ka kërkuar që të ndalë menjëherë operacionet ushtarake ruse, duke theksuar se Rusia rrezikon sanksione masive”, tha Elize, teksa Macron ka marrë pjesë në samitin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Deklaratat e lëshuara nga Zyra e Macronit ishin të kundërta me ato të lëshuara nga Kremlini, që tha vetëm se dy liderët kishin “një shkëmbim serioz dhe të sinqertë të pikëpamjeve” mbi Ukrainën.
Kremlini tha se Putini i ka dhënë Macronit një shpjegim të gjatë se pse ka urdhëruar forcat e tij të kryejnë operacion ndaj Ukrainës.
Më herët gjatë të enjtes, Macron tha se “ne do të përgjigjemi pa dobësi ndaj këtij akti të luftës”.
Ai po ashtu tha se sulmi rus në Ukrainë shënoi një “pikë kthese në historinë e Evropës dhe të shtetit tonë” që do të ketë “pasoja afatgjata në jetën tonë”.
BE-ja vendos sanksione të reja ndaj Rusisë
Liderët e Bashkimit Evropian janë pajtuar që të vendosin sanksione ndaj Rusisë, që sipas tyre do të kenë “pasoja masive dhe të rënda”. Sanksionet janë kundërpërgjigje ndaj pushtimit “barbar” të urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, tha blloku evropian.
Sanksionet godasin sektorin financiar, atë të energjisë dhe të transportit. Gjithashtu janë vendosur kufizime mbi eksportet dhe financimin.
Po ashtu, BE-ja ka shtuar në listën paraprake të sanksioneve emra të rinj të individëve rusë.
Liderët e bllokut prej 27-anëtarësh u pajtuan për vendosjen e sanksioneve gjatë një samiti urgjent që mbajtën më 24 shkurt në Bruksel, prej ku bën thirrje për dënimin e pushtimit.
Në deklaratën e samitit, liderët e BE-së thanë se rundi i ri i sanksioneve “do të shkaktojë pasoja masive dhe të rënda mbi Rusinë për shkak të veprimeve të saj”. Blloku tha se sanksionet e vendosura janë koordinuar me partnerët dhe aleatët.
BE-ja synon që të ngrijë asetet ruse që mbahen brenda bllokut dhe t’ua ndalojë qasjen bankave ruse në tregjet financiare evropiane.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell tha se “kjo është pakoja më e ashpër e sanksioneve që ne kemi zbatuar ndonjëherë”.
“Sanksionet tona do ta dëmtojnë në thelb ekonominë ruse”, tha kryeministri belg, Alexander De Croo.
Megjithatë, ende nuk dihen detajet mbi sanksionet, përfshirë nëse BE-ja ka vendosur që ta largojë Rusinë nga sistemi i transferimeve bankare, SWIFT.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që më 24 shkurt po ashtu njoftoi për sanksione të reja ekonomike ndaj Rusisë, tha se SHBA-ja tash për tash ka vendosur që të mos vendosë sanksione ndaj Moskës, sa i përket sistemit SWIFT.