Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
18:15 24.2.2022

Kurti takohet me komandantin e KFOR-it

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me komandantin e forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major, Ferenc Kajári.

Sipas një njoftimi, në këtë takim, Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, që u mbajt të mërkurën mbrëma “si dhe konkluzionet nga kjo mbledhje lidhur me bashkëpunimin dhe bashkërendimin sa më të ngushtë me NATO-n, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar”.

Qeveria e Kosovës, sipas njoftimit të zyrës së Kurtit, shprehu gatishmërinë që të bashkëpunojë dhe bashkërendojë veprimet me KFOR-in për një mjedis të qetë dhe të sigurt, “në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Në këtë takim morën pjesë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj.

18:18 24.2.2022

G7: Sulmi rus ndaj Ukrainës, kërcënim për rendin botëror

Grupi i shtatë vendeve më të industrializuar (G7) e kanë quajtur pushtim rus të Ukrainës “kërcënim serioz” për rregullin botëror dhe tha se presidenti rus, Vladimir Putin e vendosi veten në anën e gabuar të historisë duke nisur një luftë në Evropë.

Deklarata e G7-ës u lëshua pas takimit virtual që liderët zhvilluan më 24 shkurt, në ditën kur Rusia nisi operacion ushtarak ndaj Ukrainës, që u dënua nga shtetet në mbarë botën.

G7 tha se është “gati të veprojë” për ndërprerjet e mundshme të furnizimit me energji dhe tha se është gati të mbështesë me ndihmë humanitare, pasi pritet të ketë një valë të refugjatëve dhe personave që do të zhvendosen.

Raketat dhe bombarduesit rusë godasin objektivat ukrainase
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mori pjesë në takimin e G7-ës, grup në të cilin bëjnë pjesë edhe Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.

18:37 24.2.2022

Krerët shtetërorë të Kosovës dënojnë agresionin rus në Ukrainë

Krerët e institucioneve të Kosovës kanë dënuar agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës, si dhe vendimin e Moskës që të njohë si shtete të pavarura dy rajoneve lindore ukrainase, që kontrollohen nga separatistët pro-rusë.

“Strategjia e ndjekur nga Moska për të krijuar përmes agresionit ushtarak entitete fantome brenda territorit të Ukrainës, grumbullimi masiv i forcave ushtarake në kufijtë e Ukrainës dhe sulmi masiv dhe i paprovokuar kundër qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës është një ndër goditjet më të rrezikshme që i është bërë arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore”, u tha në deklaratën e përbashkët të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kyeparlamentarit, Glauk Konjufca, dhe kryeministrit, Albin Kurti.

Sipas udhëheqjes së Kosovës, sulmi ndaj Ukrainës është sulm ndaj vlerave demokratike.

“Sot, në Ukrainë nuk mbrohet vetëm sovraniteti dhe e drejta për vetëvendosje e një populli të lirë dhe e një shteti të pavarur. Por, në Ukrainë mbrohen vlerat universale të paqes, demokracisë dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje”, u tha në deklaratë, ku u shtua se Kosova qëndron në solidaritet me popullin e Ukrainës.

18:46 24.2.2022

Arrestohen protestuesit në Rusi

Qindra njerëz u mblodhën në qendër të Moskës të enjten, duke protestuar kundër sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Shumë nga demonstruesit u arrestuan. Protesta të ngjashme u zhvilluan në qytete të tjera ruse dhe aktivistët u arrestuan gjithashtu.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG