Raketat dhe bombarduesit rusë godasin objektivat ukrainase
Sulmet ruse me raketa dhe me aeroplanë bombardues kanë goditur pozicionet dhe infrastrukturën ushtarake të Ukrainës. Pamjet e publikuara në mediat sociale më 24 shkurt kanë shfaqur shpërthime në disa qytete, teksa Rusia ka nisur pushtimin ushtarak të fqinjës së saj.
Ellis: Ukraina ka nevojë për mbrojtje kolektive ushtarake
Duhet një mbrojtje kolektive ushtarake për ta ndihmuar Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus, thotë për Radion Evropa e Lirë, Dr Mark Ellis, drejtori ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër.
Në këtë intervistë për REL-in, Ellis po ashtu flet për ndikimin që mund të kenë veprimet e Rusisë në Ukrainë te shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim, ai thotë se situata që po ndodh në Ukrainë mund të jetë një katalizator që nacionalistët e tjerë, veçmas në Ballkan, të thonë 'Është koha që edhe ne të ndërmarrim veprime'.
Zelenskyi: Forcat ruse po tentojnë të marrin kontrollin e Çernobilit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë të enjten se forcat ruse po tentojnë të marrin kontrollin e uzinës bërthamore, Çernobil.
Aty ka ndodhur katastrofa më e keqe bërthamore.
Forcat ushtarake ruse kanë hyrë aty dhe luftimet kanë rritur frikën se mund të shkaktohet ndonjë katastrofë bërthamore e shkallës së gjerë, kanë thënë zyrtarët ukrainas.
“Forcat pushtuese ruse janë duke tentuar të marrin kontrollin e Çernobilit. Ushtarët tanë janë duke dhënë jetën që tragjedia e vitit 1986 të mos përsëritet më”, ka thënë Zelenskyi në Twitter.
Ai ka thënë se forcat e Kievit janë duke luftuar me trupat ruse për kontrollin e Çernobilit, nga i cili është përhapur mbetje radioaktive përreth Evropës, kur një nga reaktorët bërthamorë ka shpërthyer në prill të vitit 1986.
Në uzinën, e cila gjendet 130 kilometra në veri të Kievit, reaktori që dikur ka shpërthyer, tani është i mbuluar me strehë mbrojtëse për të parandaluar rrezatimin.
Moldavia mirëpret mijëra ukrainas
Mbi 4,000 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, janë larguar nga Ukraina dhe kanë arritur në Moldavi.
Një prej shpjegimeve për numrin e lartë të grave dhe fëmijëve që po ikin nga Ukraina është se autoritetet në Kiev ua kanë ndaluar ikjen nga vendi burrave të cilët janë në moshë për shërbim ushtarak.
“Ne presim që numrat të rriten”, tha për BBC, Roland Schilling, përfaqësues rajonal i Agjencisë së Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara.
“Ne, së bashku me agjencitë e tjera të OKB-së, jemi të përgatitura për përgjigje humanitare”, tha ai.
OKB-ja më herët ka paralajmëruar se një pushtim i Ukrainës mund të nxiste një krizë me refugjatë në shkallë të gjerë.