NATO, e gatshme të garantojë sigurinë në Ballkan
Në kohën kur NATO dhe Bashkimi Evropian janë bashkuar për të dënuar pushtimin rus në Ukrainë, pjesëtarë të aleancës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të vazhdojnë të luajnë rol për të mbështetur paqen dhe sigurinë afatgjate në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Politika e NATO-s në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor ka qenë konsistente gjatë tërë kohës. Dhe kjo mbetet edhe tash. NATO mbetet tërësisht e përkushtuar që të luajë rolin e vet në mbështetje të sigurisë afatgjate përgjatë Ballkanit Perëndimor”, ka thënë një zyrtar i NATO-s, kur është pyetur nëse aleanca do të rrisë praninë në rajon për të parandaluar ndonjë destabilizim eventual të situatës.
Nëse na jeni bashkuar tani, këto janë zhvillimet e fundit:
- NATO është zotuar se do të mbrojë secilin “inç” të territorit të aleancës
- Kremlini ka ripërsëritur thirrjet e presidentit rus, Vladimir Putin se Ukraina duhet të çmilitarizohet
- Presidenti amerikan, Joe Biden ka kërkuar takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare
- Presidenti francez, Emmanuel Macron e ka konsideruar sulmin rus si “pikë kthese” në historinë evropiane
- Kancelari gjerman, Olaf Scholz e ka parë pushtimin rus si “luftë të Putinit”
- Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se sulmi përbën “goditje të rëndë për paqen dhe stabilitetin rajonal”.
Ukraina bën thirrje për sanksione të ashpra ndaj Rusisë
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, u ka bërë thirrje shteteve tjera të vendosin sanksione ndaj Rusisë menjëherë dhe të ofrojnë mbështetje ushtarake dhe financiare për Ukrainën.
“Aktualisht, Putin është duke shtyrë Evropën në periudhën më të errët prej vitit 1939. Secila qeveri që tenton t’i shmanget është naive. Mos përsërisni gabimet e të kaluarës”, ka thënë Kuleba përmes një postimi në Twitter.
Reagimi i Iranit
Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, ka thënë se “kriza e Ukrainës i ka rrënjët në provokimet e NATO-s”.
“Ne nuk besojmë që lufta ofron zgjidhje. Është e domosdoshme që të ketë armëpushim dhe të gjendet një zgjidhje politike dhe demokratike”.