Mehaj: FSK e gatshme për ndihmë – nëse i kërkohet nga SHBA-ja
Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është e gatshme të ofrojë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet - pas pushtimit rus në Ukrainë – nëse diçka e tillë kërkohet nga Shtetet e Bashkuara.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kosova qëndron në linjë me qëndrimet e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.
Ai ka bërë thirrje që të mos ketë ndonjë organizim eventual të strukturave joshtetërore për të ofruar solidaritet dhe mbështetje për popullin ukrainas, duke thënë se këto veprime njihen brenda qarqeve ruse.
Mehaj ka thënë se mes tjerash se duke parë zhvillimet në botë, “është koha që SHBA të miratojë kërkesën tonë të kahershme për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake Amerikane në Kosovë”.
Biden thërret në takim Këshillin e Sigurisë Kombëtare
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka kërkuar takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara për të diskutuar rreth Ukrainës, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Qytetarët e Ukrainës largohen nga shtëpitë e tyre
Qytetarë të shumtë nga Ukraina janë parë duke pritur në stacione trenash, e të tjerë kanë arritur të largohen duke kaluar kufirin në shtete fqinje, si Polonia e Hungaria.
Macron: Sulmi rus, “pikë kthese” në historinë evropiane
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se sulmi rus ndaj Ukrainës përbën “pikë kthese” në historinë evropiane.
Përmes një adresimi televiziv para kombit, ai ka thënë se Franca është në anën e Ukrainës.
Macron ka thënë se veprimet e Rusisë do të ketë pasoja “të rënda dhe afatgjata” për kontinentin.