Qytetarë duke kaluar kufirin nga Ukraina në Poloni
Kryeministri holandez: Sanksionet duhet të shënjestrojnë direkt Putinin
Sanksionet evropiane kundër Rusisë duhet të shënjestrojnë direkt presidentin rus, Vladimir Putin, dhe administratën e tij, tha kryeministri i Holandës, Mark Rutte.
“Holanda beson se sanksionet maksimale duhet të vendosen kundër Putinit dhe Qeverisë së tij”.
"Ne nuk jemi në konflikt me popullin rus, është Putini dhe Qeveria e tij ajo që duhet të shënjestrojmë", u tha Rutte gazetarëve.
Më herët, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, paralajmëroi se Bashkimi Evropian do të vendosë sanksionet më të ashpra ndonjëherë kundër Rusisë.
Reagimi i Kinës
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying, ka thënë se çështja e Ukrainës është komplekse sa i përket aspektit historik.
“Ne ende shpresojmë se palët e prekura nuk do të mbyllin dyert për paqe dhe të angazhohen në dialog dhe konsultime, si dhe të parandalojnë situatën nga përshkallëzimi i mëtejmë”.
Lukashenka nuk përjashton përfshirjen e trupave bjelloruse në sulmin rus
Lideri autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, ka thënë se trupat bjelloruse nuk janë duke marrë pjesë në sulmin rus, mirëpo do të përfshihen nëse duhet.
Moska ka trupa në Bjellorusi tash e sa javë dhe aty janë kryer edhe disa stërvitje ushtarake.
“Po e them sërish: trupat tanë nuk janë atje. Mirëpo nëse është e nevojshme, nëse është e domosdoshme për Bjellorusinë dhe Rusinë ato do të përfshihen”, është cituar të ketë thënë Lukashenka pasi agjencisë së lajmeve Belta.
Bjellorusia njihet si aleate e Rusisë.