Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
11:13 24.2.2022

11:21 24.2.2022

Johnson: Katastrofë për kontinentin tonë

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia “është një katastrofë për kontinentin tonë”, shkroi në Twitter kryeministri britanik, Boris Johnson.

Ai paralajmëroi se do t’i drejtohet kombit gjatë ditës dhe se do të bisedojë me udhëheqësit e G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara.

Johnson po ashtu bëri thirrje për një takim urgjent të NATO-s.

11:28 24.2.2022

Presidenti çek: Rusia të hiqet nga sistemi SWIFT

Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, i cili në të kaluarën ka promovuar marrëdhënie të ngrohta me Moskën, tha se sulmi rus kundër Ukrainës është "krim kundër paqes".

Ai bëri thirrje për vendosjen e sanksioneve të ashpra, përfshirë heqjen e Rusisë nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT.

"Duhet të izolohet një i çmendur, jo vetëm të mbrohemi kundër tij me fjalë, por me masa konkrete", tha presidenti çek, duke iu referuar me sa duket homologut rus.

11:35 24.2.2022

Moldavia mbyll hapësirën ajrore, mirëpret refugjatë ukrainas

Moldavia njoftoi se ka mbyllur hapësirën e saj ajrore, për shkak të luftës në Ukrainën fqinje.

Paraprakisht, presidentja Maia Sandu tha se Kishinjevi do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme dhe se është i gatshëm të pranojë dhjetëra mijëra njerëz nga Ukraina.

"Ne do t'i ndihmojmë njerëzit që kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë", tha Sandu.

Ministrja e Brendshme e Moldavisë, Ana Revenco, tha se deri më tani afro 2,000 qytetarë ukrainas kanë kaluar në Moldavi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG