Pendarovski: Pushtimi i Ukrainës, kërcënim për stabilitetin e Evropës
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, e dënoi, siç tha, pushtimin e Ukrainës nga ana e Rusisë, duke e cilësuar atë si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe si kërcënim për stabilitetin e Evropës.
"E dënoj fuqishëm veprimin ushtarak që ka ndërmarrë Rusia kundër Ukrainës, i cili do të çojë - në mënyrë të pashmangshme - në humbje të pariparueshme të jetëve dhe në dëme materiale", tha Pendarovski.
"Si anëtare e NATO-s, ne i bashkohemi thirrjes së aleancës drejtuar Rusisë, për të ndërprerë armiqësitë në territorin ukrainas. Në emër të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shpreh solidaritetin tim me popullin ukrainas në këto kohë të vështira”, shtoi presidenti maqedonas.
Lexoni edhe këtë: Disa liderë të Ballkanit dënojnë sulmin rus ndaj Ukrainës
Ukraina pezullon të gjitha fluturimet civile
Shërbimi shtetëror i trafikut ajror të Ukrainës njoftoi se ka mbyllur hapësirën ajrore të vendit pas sulmit që nisi Rusia.
Ai tha se i ka pezulluar të gjitha fluturimet në orën 02:45 - me kohën e Kievit - "për shkak të rrezikut të lartë për sigurinë e aviacionit civil".
"Ofrimi i shërbimeve të trafikut ajror për përdoruesit civilë të hapësirës ajrore të Ukrainës, është pezulluar", thuhet në deklaratë.
Kompania ajrore irlandeze, Ryanair, tha se i ka anuluar të gjitha fluturimet drejt dhe nga Ukraina për së paku 14 ditët e ardhshme.
Më herët, edhe linja ajrore gjermane, Lufthansa, njoftoi se i ka anuluar të gjitha shërbimet e mbetura në Ukrainë.
Pamjet e fundit nga Ukraina:
Ukraina ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Rusinë
Ukraina ndërpreu zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Rusinë, njoftoi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyi.
Vendimi u mor pasi Rusia nisi një operacion ushtarak të shkallës së gjerë në Ukrainë.
Siç raporton BBC, duke u thirrur në mediat ukrainase, Zelenskyi po ashtu tha se do t'i ofrojë armë kujtdo që i dëshiron ato.