Johnson uron Zelenskyn për tërheqjen e forcave ruse nga Kievi
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka uruar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky për tërheqjen e forcave ruse nga Kievi.
Duke folur në telefon me presidentin e Ukrainës, Johnson tha se “civilët janë duke vuajtur shumë”.
Ukraina thotë se forcat e saj kanë rimarrë të gjithë rajonin rreth Kievit, pasi Rusia është tërhequr nga aeroporti Hostomel dhe qytetet kryesore të fushëbetejës Irpin dhe Buça.
Zelensky e quajti Mbretërinë e Bashkuar një aleat të fuqishëm në një postim në Twitter në lidhje me bisedën e tij me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar.
Qytetarët e Harkivit helmojnë ushtarët rusë me byrekë
Dy ushtarë rusë vdiqën dhe 28 të tjerë u shtruan në spital pasi banorët vendas në rajonin e Harkivit në Ukrainë, u dhanë byrekë të helmuar, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës.
Në njoftim thuhet se “ukrainasit po u rezistojnë pushtuesve me të gjitha mjetet e mundshme”, raporton BBC.
Ministria tha gjithashtu se edjhe 500 trupa ruse u shtruan në spital si pasojë e “helmimit të rëndë nga alkooli”.
Ukraina kërkon vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, foli për vrasjet në Buça dhe kërkoi që vendet e G7-ës që të vendosin sanksione “shkatërruese” ndaj Moskës.
“Ne ende po mbledhim trupat e pajetë, por deri më tani numri ka shkuar në qindra. Trupa të pajetë janë nëpër rrugë. Ata vrasin civilë kur ishin aty dhe kur u larguan nga fshatrat dhe qytetet”, citohet të ketë thënë Kuleba.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Ukraina thotë se vrasjet në Buça ishin të qëllimshme
Zyrtarët ukrainas e kanë akuzuar Rusinë për “gjenocid” në Buça, që gjendet në periferi të Kievit, teksa autoritetet lokale kanë thënë se afër 300 banorë janë vrarë gjatë kohës kur Buça ishte nën kontrollin e forcave ruse.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka thënë se “masakra në Buça ishte e qëllimshme”.
Ndërkaq, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, i tha gazetës gjermane, Bild, se “ajo çfarë ndodhi në Buça dhe në pjesë të tjera në periferi të Kievit mund të përshkruhet me termin gjenocid”. Ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ishte përgjegjësi i vetëm për këto krime.
Ndërkaq, Human Right Watch ka thënë se ka “dokumentuar disa raste ku ushtria ruse ka kryer shkelje të ligjit të luftës kundër civilëve në zonat e okupuara të Çernihivit, Harkivit dhe rajonit të Kievit në Ukrainë”.
Kjo organizatë, tha se më 4 mars, forcat ruse në Buça kishin qëlluar me armë zjarri prapa koke të paktën një person.
Kryetari i Buçës, Anatoly Fedoruk, tha më 2 prill se afër 300 banorë lokalë janë vrarë në kohën kur ky qytet ishte nën okupimin e forcave ruse. Afër 280 dyshohet se janë varrosur në një varrezë masive, ndërkaq trupat e viktimave të tjera janë lënë në rrugët e këtij qyteti.
Edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Mbretërisë së Bashkuar kanë reaguar pas pamjeve të publikuara nga Buça, duke thënë se forcat ruse kanë kryer mizori. BE-ja ka paralajmëruar sanksione të reja ndaj Moskës, ndërkaq Mbretëria e Bashkuar ka thënë se do ta ndihmojë Ukrainën që të dokumentojë krimet e kryera nga forcat ruse.