Kryenegociatori rus: Ende herët për një takim Putin-Zelensky
Rusia tha të dielën se bisedimet e paqes nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm saqë të mbahet një takim midis presidentëve të dy shteteve.
Kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky, tha përmes Telegramit se qëndrimi i Moskës lidhur me statusin e Krimesë dhe Donbasit vazhdon të jetë i pandryshueshëm.
“Draft-marrëveshja nuk është gati që të prezantohet në një takim të liderëve”, tha ai.
“E përsëris vazhdimisht: Pozicioni i Rusisë për Krimenë dhe Donbasin është i pandryshueshëm”, tha ai.
Të shtunën negociatorët ukrainas thanë se janë bërë përparime të mjaftueshme që të mbahet një takim midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe atij rus, Vladimir Putin.
Ukraina thotë se ka zmbrapsur disa sulme ruse
Ushtria ukrainase thanë se kanë zmbrapsur disa sulme ruse. Në informacionet e përditësuar lidhur me operacionet ushtarake, Ukraina dha detaje lidhur me sulmet ruse në rajonin e Donbasit.
“Në territorin e Donjeckut dhe Luhanskut [Donbas] mbrojtësit e Ukrainës kanë zmbrapsur gjashtë sulme të armikut, duke shkatërruar katër tanke, gjashtë njësi të makinave të blinduara dhe shtatë njësi të tjera të makinave të armikut”, tha ushtria ukrainase përmes një postimi në Facebook.
Britania: Rusia është përqendruar në juglindje të Ukrainës
Inteligjenca ushtarake britanike tha se ka parë një përqendrim të aktiviteteve ajrore ruse në juglindje të Ukrainës, gjë që sugjeron se është pjesë e rifokusimit strategjik të Moskës në rajon.
Përderisa forcat ruse ende mund të jenë në gjendje për një zbarkim tokësor në Ukrainë, Mbretëria e Bashkuar tha se beson se ky do të ishte një operacion i rrezikshëm. Kjo pasi, sipas inteligjencës ushtarake britanike, forcat ukrainase tani kanë mundësi që të përgatiten për një gjë të tillë.
Dëgjohen shpërthime në Odesa
Në qytetin jugor të Odesës është raportuar për shpërthime. Ky qytet është sulmuar me raketa dhe ka raportime për zjarre në disa zona, tha këshilli i qytetit përmes një postimi online.
Ndërkaq, Serhiy Bratchuk, zëdhënës i administratës ushtarake rajonale të Odesës, u ka bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë në strehimore.
Ndërkaq, duke folur për transmetuesin publik ukrainas, ai tha se një prej “ndërtesave të infrastrukturës kritike” është goditur.