Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
07:10 3.4.2022

Mirëmëngjesi të nderuar lexues. Po e rifillojmë mbulimin e drejtpërdrejtë të ngjarjeve në Ukrainë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se Rusia dëshiron të marrë kontrollin e rajoneve lindore dhe jugore ukrainase.

Në një video-adresim ai tha se “cili është qëllimi i trupave ruse? Ata dëshirojnë të marrin edhe Donbasin [në lindje] dhe jugun e Ukrainës”.

“Cili është qëllimi ynë? Të mbrojmë veten, lirinë tonë, tokën tonë dhe njerëzit tanë”, tha Zelensky.

Ai lavdëroi forcat ukrainase për mbrojtjen e qytetit të rrethuar të Mariupolit, i cili është shkatërruar pothuajse tërësisht nga bombardimet ruse.

Rezistenca ukrainase në Mariupol dhe në qytete të tjera të Ukrainës i ka lejuar Kievit të “fitojë kohë të çmuar” dhe të dobësojë aftësitë ushtarake të Rusisë, tha Zelensky.

Më herët gjatë kësaj jave, Rusia ka njoftuar se do të zvogëlonte “në mënyrë drastike” operacionet luftarake përreth kryeqytetit ukrainas, Kiev, dhe në qytetin verior të Çernihivit dhe të përqendrohet në rajonet lindore ukrainase.

22:55 2.4.2022

Lexues të nderuar. Ne këtu po e ndërpresim mbulimin e drejtpërdrejtë të luftës në Ukrainë, për t’u rikthyer sërish nga ora 7:00 e mëngjesit.

Zhvillimet kryesore të ditës së premte kanë qenë:

  • Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se situata ushtarake në lindje të shtetit “vazhdon të jetë ekstremisht e vështirë”.
  • Inteligjenca britanike tha forcat ruse janë tërhequr nga Aeroporti Hostomel.
  • Sipas UNESCO-s, që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë shkatërruar 53 vende historike.
  • Papa po e shqyrton mundësinë që ta vizitojë Kievin.
  • Britania ka ndaluar një avion që dyshohet se është i përket një oligarku rus.
  • Trupat ruse rrëmbyen zëvendëskryetarin e qytetit në rajonin Sumi, që gjendet në veri të Ukrainës.
  • Fotoreporteri ukrainas, Maks Levin, u gjet i vdekur afër Kievit, pasi kishte qenë i zhdukur për më shumë se dy javë.
  • Të dielën autobusët pritet të evakuojnë 500 persona nga Mariupoli.
  • Ish-kryeprokurorja e Tribunalit në Hagë, Carla Del Ponte ka kërkuar që të lëshohet një urdhër arrest ndërkombëtar për presidentin rus, Vladimir Putin.
  • Trupa të pajetë janë parë nga gazetarët e agjencisë së lajmeve AFP në qytetin Buça, pasi forcat ruse u tërhoqën.
  • Kancelari gjerman paralajmëron “shkatërrimin e së ardhmes” si pasojë e luftës në Ukrainë.
  • Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar tha se forcat ukrainase kanë rimarrë të gjithë rajonin e Kievit.
22:44 2.4.2022

Zonat kyçe afër Kievit të rimarra nga ukrainasit

Zyrtarët ukrainas thonë se forcat ukrainase kanë rimarrë të gjithë rajonin rreth Kievit.

Në javët e fundit ka pasur luftime të ashpra në disa qytete dhe fshatra rreth kryeqytetit.

Rusia e ka përshkruar tërheqjen e saj të forcave pranë Kievit si një gjest vullneti të mirë në negociatat e paqes, por analistët perëndimorë thonë se ofensivat e saj kishin ngecur.

Autoritetet thonë se të paktën 200 civilë janë vrarë në Irpin – qytet në veri-perëndim të Kievit - që kur Rusia pushtoi Ukrainën në fund të shkurtit.

Shumica e 70,000 njerëzve që jetonin në këtë qytet u larguan gjatë muajit të kaluar.

Ushtarët ukrainas takohen me qytetarët e qytetit të shkatërruar, Buça, në afërsi të Kievit.
Ushtarët ukrainas takohen me qytetarët e qytetit të shkatërruar, Buça, në afërsi të Kievit.

Derisa në qytetin Buça, trupat ukrainase kanë hyrë në dy ditët e fundit, pasi kishte qenë plotësisht e paarritshme për gati një muaj.

AFP raportoi gjatë së shtunës për të paktën 20 trupa të vrarë, të cilët ishin në një rrugë të këtij qyteti.

Kryetari i bashkisë së qytetit tha se 280 njerëz ishin varrosur në një varr masiv në Buça dhe se qyteti ishte i mbushur me kufoma.

22:10 2.4.2022

Mijëra ukrainas u evakuuan nga qytetet ku po luftohet

Mijëra njerëz në Ukrainë arritën të ikin të shtunën nga qytetet ku po zhvillohet lufta, ka njoftuar qeveria në Kiev.

Një total prej 765 civilësh u larguan nga qyteti i Mariupolit me automjetet e tyre, njoftoi zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk në Telegram.

Pothuajse 500 civilë ishin larguar nga qyteti i Berdyansk. Destinacioni i njerëzve nga të dy qytetet ishte Zaporizhja.

Evakuimi do të vazhdojë edhe të dielën, tha Vereshchuk.

“Ne vazhdojmë të punojmë”, tha shkroi Vereshchuk.

Evakuimi i qytetarëve nga qyteti Irpin afër Kievit, më 7 mars 2022.
Evakuimi i qytetarëve nga qyteti Irpin afër Kievit, më 7 mars 2022.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG