Ushtria ruse thotë se ka sulmuar një aeroport ushtarak në Ukrainë
Ushtria ruse tha të shtunën në mbrëmje se ka sulmuar një aeroport ushtarak në rajonin Poltava të Ukrainës.
Helikopterë luftarakë dhe avionë u shkatërruan, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes në Moskë.
Po ashtu, kjo ministri ka njoftuar se janë goditur edhe depo të karburantit dhe armëve, makina të blinduara, municione u shkatërruan gjithashtu.
Refugjatët ukrainas hyjnë në Estoni nëpërmjet Rusisë
Zyrtarë të Estonisë kanë njoftuar se refugjatët ukrainas që mbërrijnë nga Rusia përfshijnë disa të zhvendosur nga qyteti i Mariupolit.
Ukraina ka akuzuar forcat ruse për “dëbimin” e mijëra civilëve nga Mariupoli, qytet ky i shkatërruar nga granatimet ruse.
Indrek Puvi, shefi i policisë në kufirin e Estonisë me Rusinë, tha se gjatë javës së kaluar rreth 200 refugjatë ukrainas kanë hyrë çdo ditë në Estoni, shtet anëtar i BE-së.
Përveç banorëve nga Mariupoli, kishte refugjatë nga Hersoni, Harkivi dhe qytete të tjera ukrainase.
Për më shumë lexoni këtu.
Nata e parë e qetë në Çernihiv që nga muaji shkurt
Qyteti verior i Çernihivit, të premten pati natën e parë të qetë që nga pushtimi rus më 24 shkurt, tha për BBC-në nënkryetari i bashkisë së qytetit, Oleksandr Lomako.
Ai tha se “falë përpjekjeve të mëdha të ushtrisë ukrainase, trupat ruse u larguan nga shumica e fshatrave përreth Çernihivit”.
Pas javësh granatimesh dhe sulmesh ajrore ruse, Lomako tha se ka dëme të mëdha në infrastrukturën e Çernihivit.
Analistët perëndimorë dhe ukrainas besojnë se tërheqja ruse në pjesë të veriut është një plan rigrupimi, përpara një ofensive të re ruse në lindje të Ukrainës.
Peskov: Bisedimet me Ukrainën nuk janë të lehta, por duhet të vazhdojnë
Bisedimet e Rusisë me Ukrainën nuk kanë qenë të lehta, por gjëja kryesore është se ato po vazhdojnë, citoi agjencia e lajmeve RIA zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ai tha gjithashtu se Rusia do të donte të vazhdonte bisedimet me Ukrainën në Bjellorusinë fqinje, por Kievi e kundërshtoi idenë.
Rusia dhe Ukraina mbajtën disa runde bisedimesh në Bjellorusi muajin e kaluar përpara se delegacioni i tyre të takohej në Stamboll javën e kaluar.