Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
16:23 2.4.2022

Të dielën autobusët pritet të evakuojnë 500 persona nga Mariupoli

Qindra qytetarë të bllokuar në Mariupol, pritet të largohen nga qyteti të dielën me disa autobusë.

Sipas njoftimeve 10 autobusë të mëdhenj pritet t’i dërgojnë rreth 500 njerëz në Zaporizhja.

Rreth 100,000 njerëz janë ende në qytetin e goditur dhe tashmë të dëmtuar rëndë.

Sipas zëvendëskryeministres ukrainase, Iryna Vereshchuk, duhet të kishte pasur një korridor humanitar për automjetet private nga Mariupoli që nga sot (e shtunë).

Evakuimi i qytetarëve në Mariupol.
Evakuimi i qytetarëve në Mariupol.

15:48 2.4.2022

Arrestohen mbi 170 qytetarë rusë që protestuan kundër luftës në Ukrainë

Policia ruse ka arrestuar të shtunën 176 persona, të cilët protestuan në Moskë kundër pushtimit të Ukrainës, ka njoftuar OVD.

Organizata OVD-Info, që monitoron arrestimet në protesta, njoftoi se protestuesit u arrestuan në 14 qytete të ndryshme ruse.

AFP njoftoi se më shumë se 20 persona u arrestuan nga policia në një park afër Kremlinit.

Policia shoqëroi në stacion policor edhe disa njerëz që ishin ulur në park, raporton AFP.

Protesta kombëtare kundër asaj që Moska e quan “operacion ushtarak” saj në Ukrainë, u njoftua në mediat sociale nga aktivistët në rreth 30 qytete ruse.

Për më shumë lexoni këtu.

Pamje nga një protestë në Moskë.
Pamje nga një protestë në Moskë.

15:05 2.4.2022

Kryeministri polak kërkon ‘sanksione reale’ kundër Rusisë

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, po kërkon shtrëngim të mëtejshëm të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, duke thënë se masat e marra deri tani nuk janë të mjaftueshme.

Kryeministri polak u takua të shtunën në Varshavë me Presidenten e Parlamentit të BE-së, Roberta Metsola, në një qendër pritjeje për refugjatët që ikin nga lufta në Ukrainë.

Ai tha se kursi i këmbimit të rublës ruse është kthyer në nivelin që kishte para sulmit rus në Ukrainë, një tregues që Moska sipas tij, po i shpëton ndëshkimit nga sanksionet.

“Kjo do të thotë se të gjitha masat ekonomike nuk kanë funksionuar siç do të dëshironin disa politikanë”, tha Morawiecki.

Morawiecki tha se “nuk do të ketë kthim në normalitet” për sa kohë që sovraniteti i Ukrainës kërcënohet dhe bëri thirrje për vendosjen e “sanksioneve reale” ndaj Rusisë.

Në Poloni aktualisht janë më shumë se 2.4 milionë refugjatë nga Ukraina, më shumë se çdo vend tjetër të Bashkimit Evropian.

14:25 2.4.2022

Fotoreporteri i zhdukur gjendet i vdekur afër Kievit

Fotoreporteri Maks Levin.
Fotoreporteri Maks Levin.

Fotoreporteri ukrainas, Maks Levin, u gjet i vdekur afër Kievit, pasi kishte qenë i zhdukur për më shumë se dy javë, tha këshilltari presidencial, Andriy Yermak.

“Ai u zhduk në zonën e konfliktit më 13 mars në rajonin e Kievit. Trupi i tij u gjet pranë fshatit Guta Mezhigirska më 1 prill”, tha ai përmes një postimi në Telegram.

Reporterët pa Kufij konfirmuan lajmin përmes një postimi në Twitter, duke thënë se Levin u vra sikurse edhe pesë gazetarë të tjerë që prej se Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG