Zyrtarët lokalë: Forcat ruse arrestuan disa protestues në Enerhodar
Autoritetet lokale në qytetin e okupuar ukrainas të Enerhodarit thanë se forcat ruse, në mënyrë të dhunshme kanë ndërprerë një tubim pro-ukrainas të shtunën, duke arrestuar disa pjesëmarrës.
Banorët e këtij qyteti, që gjendet në jug të Ukrainës, kishin dalë në rrugë duke kënduar himnin e Ukrainës, kur ushtarët rusë erdhën dhe arrestuan disa persona, thanë zyrtarët e administratës lokale.
“Pushtuesit po i shpërndajnë protestuesit duke shpërthyer eksplozivë”, thanë zyrtarët ukrainas përmes një postimi në Telegram, ku u postua edhe një video ku shihej se forcat ruse kishin përdorur shok bomba.
Po ashtu zyrtarët ukrainas thanë se katër persona janë plagosur si pasojë e granatimeve në një pjesë të këtij qyteti, por këto informacione nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Raportohet se është rrëmbyer një zyrtar ukrainas në Sumi
Trupat ruse kanë rrëmbyer zëvendëskryetarin e qyteti në rajonin Sumi, që gjendet në veri të Ukrainës, tha për BBC-në kreu i këtij rajoni, Dmytro Zhyvytskyi.
Zyrtari i quajtur Oleksiy Shibayev, që mbante postin e nënkryetarit të qarkut Nova Sloboda është rrëmbyer, tha Zhyvytskyi. Sipas tij, ai është marrë nga trupat ruse në një pikëkalim të premten rreth 80 kilometra në veriperëndim të Sumit.
Kjo zonë gjendet në kufi me Rusinë. Rajoni i Sumit është ende nën kontrollin e Ukrainës, por është rrethuar nga trupat ruse.
Një numër i zyrtarëve lokalë ukrainas është raportuar se janë rrëmbyer nga forcat okupuese ruse.
Britania ndalon një avion që dyshohet se është i përket një oligarku rus
Sekretari britanik i Transportit, Grant Shapps, tha të shtunën se ka parandaluar përdorimin e një avioni tjetër privat, që është lidhur me oligarkët rusë.
“Ne nuk do të rrimë duarkryq dhe të shikojmë sesi ata i bëjnë milionat përmes patronazhit të [presidentit rus, Vladimir] Putinit, duke jetuar jetën e tyre në paqe, teksa derdhet gjaku i të pafajshmëve”, tha Shapps përmes një postimi në Twitter.
Departamenti britanik i Transportit tha se ka lëshuar një njoftim që avionit t’i ndalohej nisja nga Aeroporti Luton në Londër.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Ngjarjet kryesore në Ukrainë
Përshëndetje të nderuar lexues. Nëse tani jeni kyçur në blogun tonë, këto janë zhvillimet kryesore të ditës lidhur me luftën në Ukrainë:
Luftimet: Forcat ukrainase po vazhdojnë të përparojnë, teksa forcat ruse po tërhiqen nga afërsia e Kievit, ka thënë inteligjenca ushtarake britanike. Në rajonin lindor të Luhanskut është raportuar se në dy qytete ka pasur granatime ruse në ndërtesa banimi. Po ashtu, në Poltava dhe Dnipro, në Ukrainën qendrore, autoritetet lokale kanë raportuar për dëme në infrastrukturën civile, pas sulmeve ruse. Po ashtu është raportuar se forcat ruse janë tërhequr nga një aeroport në afërsi të Kievit.
Evakuimet: Kryqi i Kuq tha se po bën edhe një përpjekje për evakuimin e civilëve nga qyteti i rrethuar i Mariupolit. Një ditë më herët, konvoji i Kryqit të Kuq ishte detyruar që të kthehej prapa pasi nuk pati kushte për evakuim. Ndërkaq, zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, tha se të shtunën pritet të hapen shtatë korridore humanitare për të evakuuar civilët nga zonat e rrethuara.
Përqendrimi në lindje: Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se pritet beteja të ashpra në lindje të vendit. Forcat ruse, që po tërhiqen nga veriu, sipas tij, po rigrupohen për sulme të tjera. Ndërkaq, Instituti i Luftës, tha se forcat e Kremlinit tani janë përqendruar në luftimet në lindje, pasi duan të marrin komplet rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut.