Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
10:39 2.4.2022

Kryqi i Kuq niset drejt Mariupolit

Kryqi i Kuq të shtunën po bën edhe një përpjekje për të evakuuar civilët nga Mariupoli, ku 160,000 persona besohet se kanë mbetur të bllokuar.

“Ekipi ynë është në lëvizje mëngjesin e sotëm nga Zaporizhja për në Mariupol. Nuk mund t’iu jap më shumë detaje në këto momente”, tha një zëdhënës i kësaj organizate.

Dje, Kryqi i Kuq e pati të pamundur që të arrinte në Mariupol, dhe u kthye në Zaporizhja. Kryqi i Kuq ishte nisur me 54 autobusë dhe disa vetura për të evakuuar banorët e Mariupolit, qytetit që është goditur më së rëndi nga sulmet ruse.

Ndërkaq, negociatorët ukrainas dhe rusë janë pajtuar për planin e evakuimit të civilëve nga qyteti i rrethuar i Mariupolit. Për këtë gjë ata u pajtuan në bisedimet në Stamboll, që u mbajtën më herët gjatë javës, tha një këshilltar i presidentit, Volodymyr Zelensky.

“Delegacioni ynë ka arritur marrëveshje në Stamboll për lejimin e evakuimit”, tha Oleksiy Arestovych për televizionin ukrainas.

“Mendoj se sot ose nesër do të dëgjojmë lajme të mira sa i përket evakuimit të banorëve të Maripolit”, shtoi ai.

Ndërkaq, mëngjesin e së shtunës, zyrtarët ukrainas thanë se shtatë korridore humanitare pritet të hapen sot, por sa i përket Mariupolit, tha se evakuimi nga atje ndoshta do të bëhet përmes transportit privat.

09:55 2.4.2022

Sulme ndaj ndërtesave të banimit në lindje të Ukrainës

Rusia ka granatuar disa ndërtesa banimi në qyteti Lisiçansk dhe në qytetin Toshkiha, tha Serhiy Haidai, guvernatori i rajonit të Luhanskut, që gjendet në lindje të Ukrainës.

Ai shtoi se ende nuk kanë arritur të konfirmojnë numrin e viktimave nga këto sulme.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi gjatë një video-mesazhi mëngjesin e së shtunës, se në pjesën lindore të vendit priten “beteja në të ardhmen”.

Trupat ruse po raportohet se po rigrupohen – duke u tërhequr nga zonat veriore pranë kryeqytetit ukrainas, Kiev – dhe pritet që të përqendrojnë operacionet e tyre në lindje dhe jug të Ukrainës.

09:18 2.4.2022

UNESCO thotë se janë shkatërruar 53 vende historike në Ukrainë

Agjencia kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, tha se të paktën 53 vende të rëndësishme kulturore janë shkatërruar në Ukrainë që prej nisjes së luftës.

Këtu janë përfshirë 29 kisha, 16 ndërtesa historike, katër muze dhe katër monumente.

Po ashtu UNESCO tha se janë dëmtuar disa vende historike në dy qytetet më të mëdha ukrainase, Kievi dhe Harkiv, ndërkaq në Çernihiv është shkatërruar një prej vendeve më të vjetra historike.

“Kjo është lista e fundit, por nuk është më përfshirësja, pasi ekspertët tanë po vazhdojnë të verifikojnë raportimet”, tha një zëdhënës i UNESCO-s për agjencinë AFP.

UNESCO tha se po përdor imazhet satelitore dhe dëshmitë e dëshmitarëve okularë për të verifikuar dëmet.

08:58 2.4.2022

Inteligjenca britanike: Forcat ruse janë tërhequr nga Aeroporti Hostomel

Forcat ruse raportohen se janë tërhequr nga Aeroporti Hostomel, afër kryeqytetit ukrainas, që ka qenë skenë e luftimeve që prej nisjes së konfliktit, tha inteligjenca ushtarake e Mbretërisë së Bashkuar.

“Forcat ukrainase vazhdojnë të avancojnë kundrejt tërheqjes së forcave ruse nga afërsia e Kievit”, tha Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

“Përgjatë boshtit lindor Ukraina ka rimarrë disa fshatra. Në lindje të Ukrainës, forcat ukrainase kanë arritur të marrin një rrugë kyçe në Harkiv pas luftimeve të ashpra”, tha Ministria britanike e Mbrojtjes në informacionet e përditësuara të shtunën.

Në Hostomel ka pasur luftime të ashpra që prej 24 shkurtit, kur parashutistët rusë arritën me helikopterë dhe morën kontrollin e këtij aeroporti.

Hostomel është një qyteti i vogël, por me rëndësi të madhe strategjike. Para luftës, ai ishte aeroporti më i madh i mallrave në Ukrainë dhe shërbente si bazë kryesore për forcat ajrore ukrainase.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG