Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
08:28 2.4.2022

Kryqi i Kuq sërish tenton të kryejë evakuime nga Mariupoli

Shkatërrimet në Mariupol.
Shkatërrimet në Mariupol.

Një konvoj i Kryqit të Kuq po udhëton në qytetin ukrainas të Mariupolit, për të tentuar sërish që të evakuojë civilët nga ky qytet i rrethuar, teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se forcat ruse po krijonin një “katastrofë” të plotë jashtë kryeqytetit, duke lënë mina “në gjithë territorin”.

Qyteti-port i Mariupolit është qyteti që ka përjetuar shkatërrimet më të mëdha në luftë, ku besohet se mijëra persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë larguar.

Por, dhjetëra-mijëra persona mbeten të bllokuar në qytet pa qasje në ujë dhe ushqim.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha më 1 prill se udhëhoqi një konvoj me rreth 54 autobusë ukrainas dhe disa makina të tjera private, por ky konvoj u kthye mbrapsht për shkak se u tha se nuk kishte kushte për të vazhduar.

“Ata do të tentojnë sërish të shtunën për të lehtësuar një korridor të sigurt për civilët”, tha Kryqi i Kuq.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU

08:10 2.4.2022

Çfarë po ndodh në frontet e luftës në Ukrainë?

Instituti i Luftës ka dhënë një vlerësim të fundit lidhur me fushatën ushtarake të Rusisë në Ukrainë, duke ripërsëritur se Moska tani është e përqendruar në lindje të Ukrainës.

Këto janë disa prej gjetjeve kryesore të raportit të këtij instituti:

  • Rusia ka rishikuar planin e saj ushtarak pas një muaji, ku dështoi të merrte nën kontroll Kievin dhe qytetet e tjera
  • Pretendimi i Kremlinit se objektivi i tij kryesor gjithmonë ka qenë Ukraina lindore është i rremë dhe se me këtë pretendim po tenton të fshehë dështimin e pjesës së parë të fushatës ushtarake
  • Operacionet kryesore ruse tani janë të përqendruara në lindje të Ukrainës, ku dëshiron të marrë të gjithë rajonin e Donjeckut dhe Luhanskut
  • Rusia me gjasë do të marrë Mariupolin në ditët në vijim, por po vazhdon që të pësojë humbje
  • Ukraina ka rimarrë pjesë të mëdha të territorit në veriperëndim dhe lindje të Kievit, por Rusia ishte në gjendje që të tërhiqte me kohë forcat e dëmtuara në Bjellorusi
07:30 2.4.2022

Pentagoni me pako të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Një kontigjent i ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën. Janar, 2022.
Një kontigjent i ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën. Janar, 2022.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se do të ndajë 300 milionë dollarë për “mbështetje të sigurisë” për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës.

Me këtë shumë të ndarë, ndihma që Uashingtoni i ka ofruar Ukrainës, që prej se Rusia nisi pushtimi në shkurt, ka arritur në 1.6 miliard dollarë.

Në pakon e re të ndihmës përfshihen sisteme raketash që operohen me laser, pajisje për shikim natën, sisteme të komunikimit të sigurt taktik, furnizime mjekësore dhe automjete të blinduara.

“Ky vendim thekson angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës në mbështetje të përpjekjeve të saja heroike për t’iu kundërpërgjigjur luftës që zgjodhi Rusia”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Pengtagonit, John Kirby.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU

07:05 2.4.2022

Mirëmëngjesi të nderuar lexues. Po e rinisim mbulimin e drejtpërdrejtë të ngjarjeve në Ukrainë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se situata ushtarake në lindje të shtetit “vazhdon të jetë ekstremisht e vështirë”.

Gjatë një video-adresimi mëngjesin e së shtunës, ai tha se trupat ruse po tërhiqeshin nga veriu, “me një ritëm të ngadaltë, por të dukshëm”.

Por, ai paralajmëroi se trupat ruse po grumbulloheshin dhe “përgatiteshin për goditje të reja të fuqishme” në rajonin e Donbasit dhe në qytetin e Harkivit.

“Beteja të ashpra na presin në të ardhmen. Nuk mund të mendojmë se ne i kemi kaluar tashmë të gjitha testet”, tha ai.

Zelensky paralajmëroi liderët pro-rusë të instaluar në qytetet e okupuara nuk do të mund të qëndronin në postet e tyre për shumë gjatë.

“Mesazhi im për ta është shumë i thjeshtë: përgjegjësia për bashkëpunim është e pashmangshme”, tha ai.

“E pashmangshme do të jetë që drejtësia do të vjen në vend”, shtoi ai.

Sipas Zelenskyt, Moska po i kërcënon punëtorët e ndërmarrjeve dhe autoritetet në mënyrë që të bashkëpunojnë me ta.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG