Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
20:57 1.4.2022

Ukraina thotë se 6 mijë njerëz u evakuuan për 24 orë

Zyrtarët ukrainas thonë se gjithsej 6,266 njerëz u evakuuan të premten nga qytetet që janë në vijën e parë të luftës, përmes korridoreve humanitare.

Kirilo Tymoshenko, nënkryetari i zyrës së presidentit, tha se 3,071 njerëz ishin larguar nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.

Kjo ka ndodhur pavarësisht raporteve të mëparshme nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), i cili tha se nuk mund të hynte në qytetin jugor të bombarduar.

“Ekipi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili, të premten, ishte në rrugë drejt Mariupolit, për të mundësuar kalimin e sigurt të civilëve, u desh të kthehej në Zaporozhye, pasi marrëveshjet dhe kushtet e pamundësuan atë të vazhdonte më tej”, ka thënë më herët, të premten, KNKK-ja, duke shtuar se do të tentonte sërish të shtunën që të depërtonte në Mariupol.

Mbetet e paqartë se si kanë arritur këta njerëz të ikin nga qyteti, por besohet që kanë udhëtuar në qytetin juglindor Zaporozhye, i cili ishte një destinacion kyç për ata që ikën nga Mariupol.

20:18 1.4.2022

Ukraina riktheu qytetin Buça, afër Kievit

Forcat ukrainase kanë rimarrë qytetin Buça, afër kryeqytetit Kiev, tha kryebashkiaku i këtij qyteti, Anatolij Fedoruk.

“Data 31 mars do të hyjë në historinë e qytetit tonë ... si dita e çlirimit të tij nga rusët”, tha kryebashkiaku Fedoruk në një video-regjistrim, të premten, që duket se është filmuar para bashkisë së qytetit në Buça.

Këtë javë, Rusia u zotua të reduktojë në mënyrë drastike operacionet ushtarake rreth Kievit dhe Çernihivit në veri të Ukrainës.

Forcat ukrainase kanë kryer kundërsulm ndaj Rusisë, në zona të shumta pranë Kievit dhe më gjerë.

19:55 1.4.2022

Ukraina mohon se Kievi qëndron pas sulmit në depon e karburantit në Belgorod

Zyrtari më i lartë i sigurisë së Ukrainës ka mohuar akuzat e Moskës se Kievi qëndron pas sulmit në një depo nafte në qytetin rus të Belgorodit.

“Për ndonjë arsye, ata thonë se ne e bëmë atë, por sipas informacioneve tona, kjo nuk i përgjigjet realitetit”, tha sekretari i Këshillit të Sigurimit të Ukrainës, Oleksiy Danilov.

Në orët e fundit, Rusia ka pohuar se dy helikopterë ukrainas Mi-24 ishin përgjegjës për sulmin, i cili shkaktoi një zjarr në depon e karburantit.

Moska njoftoi se helikopterët sulmuan pasi kaluan në hapësirën ajrore ruse në një lartësi jashtëzakonisht të ulët, të premtën herët, rreth orës 5 të mëngjesit.

Rusia shtoi se uzina në Belgorod nuk e furnizon me karburant ushtrinë.

19:36 1.4.2022

Kryqi i Kuq nuk mund të arrijë në Mariupol të premten

Informacione të reja kanë arritur në lidhje me përpjekjet për evakuim nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, në jug të Ukrainës.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se nuk ishte në gjendje të arrinte në portin e Detit të Zi dhe do të përpiqet përsëri të shtunën që të evakuojë civilët.

Në komunikatë thuhet: “Ekipi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), i cili, të premten, ishte në rrugë drejt Mariupolit, për të mundësuar kalimin e sigurt të civilëve, u desh të kthehej në Zaporozhye, pasi marrëveshjet dhe kushtet e pamundësuan atë të vazhdonte më tej”.

Ekipi i KNKK-së, i përbërë nga tre automjete dhe nëntë anëtarë të stafit, nuk arriti sot në Mariupol dhe nuk arriti t’u mundësojë civilët kalimin e sigurt. Të shtunën, ata do të përpiqen përsëri të lehtësojnë kalimin e sigurt të civilëve nga Mariupoli.

Në mënyrë që operacioni të ketë sukses, është thelbësore që palët të respektojnë marrëveshjet dhe të ofrojnë kushtet e nevojshme dhe garancitë e sigurisë.

Nëse ndodh dhe kurdo që ndodh operacioni i kalimit të sigurt, roli i KNKK-së si një ndërmjetës neutral, do të ishte monitorimi i kolonës që shkon nga Mariupol në një qytet tjetër në Ukrainë.

Mësohet se rreth 170 mijë persona kanë mbetur të bllokuar në Mariupol.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG