Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
19:23 1.4.2022

BE-ja i bëri thirrje Kinës të mos ndihmojë Rusinë të anashkalojë sanksionet perëndimore

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i bëri thirrje Kinës të premten që të ndihmojë në përfundimin e pushtimit rus të Ukrainës dhe të paktën të mos bëjë asgjë që mund ta ndihmojë Moskën të anashkalojë sanksionet ekonomike.

“Ne e kemi bërë të qartë se Kina nuk duhet të ndërhyjë në sanksionet tona”, tha Von der Leyen në një konferencë për media pas një samiti virtual me presidentin kinez Xi Jinping, të premten, më 1 prill, njoftoi Reuters.

“Ne i bëmë thirrje Kinës që të ndihmojë në përfundimin e luftës në Ukrainë. Kina nuk mund të mbyllë sytë ndaj shkeljes së ligjit ndërkombëtar nga Rusia”,tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në një konferencë shtypi me Von der Leyen.

Kina po krijon lidhje më të ngushta energjetike, tregtare dhe sigurie me Moskën, duke e pozicionuar veten si një fuqi globale që mund të kundërshtojë Shtetet e Bashkuara, thekson Reuters.

Kryeministri kinez Li Keqiang u tha udhëheqësve të BE-së të premten se Pekini “në mënyrën e vet” do të mbrojë paqen në Ukrainë, pasi Brukseli kërkoi garanci se Kina nuk do ta furnizonte Rusinë me armë ose nuk do ta ndihmonte atë të shmangte sanksionet perëndimore.

Për më shumë lexoni KËTU.

18:22 1.4.2022

Rusia nuk lejon evakuimin nga Mariupol

Guvernatori i rajonit ukrainas të Donjckut pretendon se Rusia nuk po e përmbush premtimin e saj të premten për të lejuar një korridor humanitar nga Mariupol kah juglindja.

Ndërkohë, Kryqi i Kuq thotë se ende po shqyrtohet logjistika komplekse për dërgimin e ambulancave në Mariupol dhe të civilëve nga qyteti, i cili ka pësuar luftime të ashpra për javë të tëra dhe me gjithnjë e më pak ujë, ushqime dhe furnizime mjekësore.

“Po na mbarojnë mbiemrat për të përshkruar tmerret e vuajtura nga njerëzit e Mariupolit”, tha zëdhënësi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Ewan Watson, gjatë një konferencë të OKB-së në Gjenevë.

“Situata është e tmerrshme dhe gjithçka po përkeqësohet. Tani është imperativ humanitar që të lejohen njerëzit të largohen dhe të lejohet hyrja e furnizimeve me ndihma”.

Ai tha se grupi dërgoi tri automjete drejt Mariupolit dhe vijës së frontit midis forcave ukrainase dhe ruse, por dy kamionët që transportonin furnizime për qytetin nuk i ndoqën.

Dhjetëra autobusë të organizuar nga autoritetet ukrainase për të evakuuar njerëzit gjithashtu nuk kanë filluar t’i afrohen vijës ndarëse, tha Watson.

18:14 1.4.2022

Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë trupat e kapur

Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer ushtarët e kapur, tha zëvendësshefi i shtabit të presidentit ukrainas, raporton AFP.

Si rezultat i shkëmbimit, 86 ushtarë - përfshirë 15 gra - janë “tashmë të sigurtë”, tha Kirilo Tymoshenko në një video mesazh në Telegram.

Kremlini nuk është përgjigjur ende.

Nuk është ende e qartë nëse Rusia ka kthyer të njëjtin numër ushtarësh.

17:40 1.4.2022

Reputacioni i Kinës është vënë në pikëpyetje, paralajmëron von der Leyen

Reputacioni i Kinës është në rrezik nëse ndihmon Rusinë të shmangë sanksionet ndërkombëtare, paralajmëroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pas një samiti të mbajtur përmes internetit me presidentin kinez Xi Jinping.

“Zgjatja e luftës dhe akoma më shumë çrregullime në ekonominë botërore, nuk janë në interesin e askujt”, shkroi ajo në Twitter.

Kina ka refuzuar të dënojë Rusinë për pushtimin e saj, ndërkohë që BE-ja ka vendosur sanksione ndaj Moskës.

Xi Jinpin tha se Kina dhe Evropa duhet të sigurojnë stabilitet në një botë të paqëndrueshme pas pushtimit rus të Ukrainës, por nuk duket se ka ofruar ndonjë propozim për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, më vonë tha se Kina kishte rënë dakord se “kjo luftë kërcënon sigurinë globale dhe ekonominë botërore”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG