Cilat janë më të rejat nga Ukraina?
Sot shënohet dita e 37-të e luftës në Ukrainë. Këto janë informatat më të reja:
- Rusia thotë se nuk do të ndërpresë ende furnizimin me gaz në Evropë
- Rusia pretendon se zjarri në një depo karburanti në Belgorod filloi pasi dy helikopterë ushtarakë ukrainas goditën këtë lokacion
- Ekipet e shpëtimit nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq janë “duke lëvizur” drejt Mariupolit për të ndihmuar operacionin e kalimit të sigurt
- Luftimet shpërthyen pranë kryeqytetit ukrainas Kiev, sipas kryebashkiakut Vitali Klitschko
- Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se ende nuk është paraqitur “asnjë plan i miratuar” pas bisedimeve të paqes me Ukrainën
- Negociatat kanë vazhduar sot në formën “on line”
Rusia thotë se nuk do të ndërpresë ende furnizimin me gaz në Evropë
Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të enjten një urdhër, duke thënë se vendet e huaja “armiqësore” duhet të paguajnë për gazin në rubla ose rrezikojnë që tu ndërpritet furnizimi.
Duke folur me gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm për rezervat evropiane.
“A do të thotë kjo se nëse nuk ka konfirmim në rubla, dërgimi i gazit do të ndërpritet nga 1 prilli? Jo, nuk do të thotë dhe nuk buron nga rregullorja”.
Rusia furnizon Bashkimin Evropian (BE) me rreth 40 për qind të importeve të gazit dhe 30 për qind të naftës, të cilat kryesisht paguhen në euro dhe dollarë.
Kreu i IAEA: Do të drejtoj një mision në Çernobil, sa më shpejt të jetë e mundur
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Mariano Grossi, njoftoi në Twtter se do të drejtonte një mision në termocentralin bërthamor të Çernobilit.
“Sa më shpejt të jetë e mundur, unë do të drejtoj një mision të ndihmës dhe mbështetjes nga IAEA në termocentralin bërthamor të Çernobilit. Do të jetë misioni i parë, në një varg misionesh të tilla të sigurisë bërthamore në Ukrainë”, ka thënë Grossi.
Zelensky bisedoi me Macronin
Kryeministri ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi në rrjetet sociale se ka biseduar me homologun e tij francez Emmanuel Macron.
Gjatë bisedimeve, të dy liderët diskutuan për procesin e negociatave, rëndësinë e garancive të sigurisë dhe sigurimin e korridoreve humanitare nga qyteti port i Mariupolit, tha Zelensku.
Biseda ndërmjet Zelenskyt dhe Macronit vjen pasi bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë rifillojnë sot, vetëm disa ditë pasi të dyja palët u takuan në Turqi, për bisedime ballë për ballë.
Më herët gjatë ditës, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, duke folur në një konferencë shtypi në kryeqytetin indian, Nju Delhi, tha se ende nuk janë paraqitur “planet e miratuara” pas bisedimeve midis Ukrainës dhe Rusisë.