Më shumë se 2.4 milionë njerëz kanë ikur në Poloni
Më shumë se 2.4 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina në Poloni prej shpërthimit të luftës, ka thënë Garda Kufitare polake.
Megjithatë, numri i kalimeve kufitare ka rënë dukshëm prej të enjtes.
Kombet e Bashkuara kanë thënë që më shumë se katër milionë refugjatë kanë ikur nga Ukraina drejt shteteve tjera.
Inteligjenca britanike: Ukraina ka rimarrë kontrollin e dy fshatrave
Inteligjenca ushtarake e Britanisë së Madhe ka thënë më 1 prill se forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e fshatrave, Sloboda dhe Lukashivka, në jug të qytetit Çernihiv.
Këto fshatra gjenden në mes të Çernihivit dhe kryeqytetit ukrainas, Kievit.
“Ukraina ka vazhduar të bëjë kundërsulme të suksesshme, por të kufizuara, në lindje dhe verilindje të Kievit”, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes.
Sipas saj, si Çernihivi, ashtu edhe Kievi, kanë qenë subjekte të sulmeve të vazhdueshme me raketa, pavarësisht pretendimeve ruse për zvogëlim të aktivitetit në këto rajone.
Rusia paralajmëron se sanksionet e BE-së nuk do të mbesin pa përgjigje
Rusia ka paralajmëruar Bashkimin Evropian se veprimet e tij “nuk do të mbesin pa përgjigje”.
Agjencia e lajmeve, RIA ka cituar një zyrtar të lartë të Ministrisë së Jashtme të premten, të ketë thënë se përballja me Moskën nuk do te ishte në interesin më të mirë të bllokut evropian.
“Sanksionet e papërgjegjshme të Brukselit janë duke ndikuar negativisht në përditshmërinë e evropianëve”, ka thënë Nikolai Kobrinets, sipas RIA-s.
Zelensky shkarkon “tradhtarët”
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se ka shkarkuar dy anëtarë të lartë të shërbimit të sigurisë kombëtare, duke thënë se janë “tradhtarë”.
“Sot është marrë një tjetër vendim sa u përket anti-heronjve”, ka thënë ai.
“Nuk kam kohë të merrem më të gjithë tradhtarët, mirëpo gradualisht, të gjithë do të ndëshkohen”.
Ai ka thënë se “kushdo që e shkel betimin e besnikërisë ndaj popullit ukrainas, do të privohet nga gradat ushtarake”.