NATO: Forcat ruse po rigrupohen për sulm
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se forcat ruse janë duke u rigrupuar në Ukrainë për të rritur sulmet në lindje të shtetit.
Mbretëria e Bashkuar ka thënë se Rusia është duke dërguar mes 1,200 deri në 2,000 trupa, nga Gjeorgjia në Ukrainë, si përforcime.
Moska ka thënë të martën se do të zvogëlojë aktivitetet ushtarake në veri të Ukrainës dhe do të fokusohet në “çlirim” të rajonit Donbas në juglindje.
Stoltenberg ka thënë se synimi rus për të pasur rezultate ushtarake, nuk ka ndryshuar ende.
“Ne shohim bombardime të vazhdueshme të qyteteve dhe ne shohim se Rusia është duke ripozicionuar disa trupa, duke i lëvizur disa, me shumë mundësi që të rrisë përpjekjet në rajonin Donbas”, ka thënë ai.
“Në të njëjtën kohë, Rusia mban presionin mbi Kiev dhe qytete tjera. Ne mund të presim veprime tjera në kuadër të ofensivës”.
Ukraina: Trupat ruse janë larguar nga Çernobili
Stafi i centralit bërthamor të Çernobilit, ka thënë se trupat ruse, që kanë pushtuar këtë objekt, tani janë larguar.
Sipas kompanisë shtetërore për çështje bërthamore në Ukrainë, Energoatom, stafi i centralit ka thënë se nuk “të huaj” në objekt.
Më herët është thënë që disa forca ruse janë nisur drejt kufirit bjellorus, duke lënë mbrapa vetëm një grup të vogël.
Ky njoftim konfirmon raportimet e zyrtarëve amerikanë për mbrojtje, të cilët kanë përmendur tërheqjen e trupave ruse qysh të mërkurën.
Trupat ruse kanë marrë kontrollin e Çernobilit në ditët e para të pushtimit të tyre në Ukrainë.
“Këtë mëngjes, pushtuesit kanë bërë të ditura synimet e tyre për t’u larguar nga centrali bërthamor Çernobil”, ka thënë Energoatom përmes një deklarate.
Kompania po ashtu ka konfirmuar raportimet se trupat ruse kanë gërmuar kanale në zonën më të kontaminuar të Çernobilit, duke marrë “doza të mëdha” të rrezatimit.
Ka raportime të pakonfirmuar se disa prej tyre janë duke u trajtuar në Bjellorusi
Agjencia e lajmeve, Reuters, ka cituar disa punëtorë të kenë thënë se ushtarët nuk kanë pasur ide se kanë qenë në zonë rrezatimi
Megjithatë, ushtria ruse ka thënë se pas marrjes së kontrollit të centralit, nivelet e rrezatimit janë brenda normales.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike, ka thënë përmes një deklarate se nuk ka mundur të konfirmojë raportimet.
Drejtori i Agjencisë ka thënë se është në konsultime të vazhdueshme me autoritetet ukrainase për dërgim të një misioni në Çernobil, në ditët në vijim.
Ministri britanik: Putin është në kafazin që e ka ndërtuar vetë
Rusia është tani “shtet më i vogël” si rezultat i pushtimit të Ukrainës, ka thënë Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.
“Presidenti (rus, Vladimir) Putin nuk është forca që ka qenë dikur. Ai është njeri që ka mbetur në kafazin që e ka ndërtuar vetë”, ka thënë ministri britanik për Sky News.
“Ushtria e tij është e lodhur, ai është përballur me shumë humbje. Reputacioni i kësaj ushtrie të madhe të Rusisë është shkatërruar”, ka thënë Wallace.
“Atij nuk do t’i duhet të jetojë vetëm me pasojat e asaj që është duke bërë në Ukrainë, mirëpo atij do t’i duhet të jetojë me pasojat e asaj që i ka bërë ushtrisë së tij”.
Wallace ka thënë se forcat ruse duket se janë duke u rigrupuar dhe duke përqendruar fokusin drejt jugut dhe lindjes së Ukrainës.
“E kemi parë këtë gjë më herët. Gjithmonë situata përkeqësohet. Më shumë sulme për civilët, zonat e civilëve”.
Mirëmëngjesi të gjithëve!
Po rinisim raportimin në kohë reale për zhvillimet e lidhura me luftën në Ukrainë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë në orët e para të mëngjesit se situata në jug dhe në rajonin e Donbasit mbetet jashtëzakonisht e vështirë.
Përmes një video-adresimi, ai ka thënë se Rusia është duke rritur numrin e trupave afër qytetit të rrethuar të Mariupolit.
“Do të ketë beteja. Ne ende duhet të kalojmë një rrugë të vështirë për të marrë gjithçka që duam”, ka thënë ai.
Rusia ka thënë më herët se korridoret humanitare do të hapen të premten, për të lejuar largimin e civilëve nga Mariuopoli.