Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
19:50 31.3.2022

OKB-ja ka vështirësi për të ndihmuar qytetet në jug të Ukrainës

Koordinatorja humanitare e Kombeve të Bashkuara në Ukrainë thotë se OKB-ja dhe partnerët e saj kanë dorëzuar furnizime për mijëra njerëz në verilindje të vendit, por nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë në disa qytete të rrethuara në jug.

Osnat Lubrani tha të enjten se nga racionet ushqimore nga organizata humanitare “People in Need” (Njerëzit në Nevojë) dhe Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së do të përfitojnë rreth 6,000 njerëz në Sumy dhe disa zona të tjera.

Përveç kësaj, tha ajo, me gjësendet bazë shtëpiake, duke përfshirë batanijet dhe kazanët nga agjencia e refugjatëve të OKB-së, do të mbështesin 1,500 njerëz dhe do të ndihmojnë 6,000 njerëz me higjienë dhe ujë të pijshëm.

Njerëzit në rend për të marrë ushqim në Harkiv të Ukrainës
Njerëzit në rend për të marrë ushqim në Harkiv të Ukrainës

19:17 31.3.2022

Ukraina: Një i vrarë nga sulmi rus në kolonën e evakuimit

Një person u vra dhe katër u plagosën rëndë kur forcat ruse bombarduan një kolonë evakuimi jashtë qytetit verior të Ukrainës, Çernihiv, thanë zyrtarët në Kiev të enjten.

"Pesë autobusë u vunë nën zjarr të drejtpërdrejtë nga armiku teksa ata u përpoqën të shkonin në qytetin e rrethuar për të evakuuar njerëzit," tha Avokatja i Popullit e Ukrainës, Lyudmyla Denisova në Telegram.

"Në autobusë kishte vetëm vullnetarë civilë. Si pasojë e granatimeve, një person ka mbetur i vdekur, katër janë plagosur rëndë", tha ajo

18:42 31.3.2022

Rusia ia ndalon hyrjen udhëheqësisë së BE-së

Ministria e Jashtme e Rusisë tha të enjten se do të zgjerojë listën e saj të figurave të BE-së të cilëve u ndalohet hyrja në përgjigje të sanksioneve të vendosura ndaj Moskës për veprimet e saj ushtarake në Ukrainë.

“Kufizimet zbatohen për lidershipin më të lartë të Bashkimit Evropian, duke përfshirë një numër komisionerësh evropianë dhe drejtues të strukturave ushtarake të BE-së, si dhe shumicën dërrmuese të anëtarëve të Parlamentit Evropian që promovojnë politikat anti-ruse”, tha ministria në një deklaratë.

17:54 31.3.2022

Britania dhe aleatët do të dërgojnë më shumë armë në Ukrainë

Britania e Madhe dhe aleatët e saj kanë rënë dakord të dërgojnë më shumë armë vdekjeprurëse në Ukrainë për të ndihmuar në mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus, tha të enjten ministri britanik i mbrojtjes, Ben Wallace.

"Do të ketë më shumë ndihma vdekjeprurëse që do të shkojnë në Ukrainë si rezultat i ditës së sotme. Një numër vendesh kanë dalë ose me ide të reja ose me më shumë premtime parash," u tha Wallace gazetarëve pasi priti mbi 30 partnerë ndërkombëtarë në një konferencë.

Ai tha se ndihma përfshinte artileri me rreze më të gjatë, municione dhe më shumë armë kundërajrore.

Ministri i Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, Ben Wallace
Ministri i Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, Ben Wallace

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG