Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
17:27 31.3.2022

Operatori bërthamor i Ukrainës: Trupat ruse largohen nga Çernobili

Kompania e operatorit bërthamor të Ukrainës tha të enjten (31 mars) se trupat ruse po largoheshin nga termocentrali bërthamor i Çernobilit dhe po shkonin drejt kufirit të vendit me Bjellorusinë.

Operatori, Energoatom tha se ushtria ruse po përgatitet gjithashtu të largohet nga Sllavutiç, një qytet aty pranë ku jetojnë punëtorët e termocentralit.

Nuk ishte menjëherë e qartë pse trupat ruse vendosën të largoheshin nga Çernobili.

Pamje nga Çernobili
Pamje nga Çernobili

16:12 31.3.2022

Scholz thotë se pagesat e gazit rus do të vazhdojnë në euro ose dollarë

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të enjten se vendet perëndimore do të vazhdojnë të paguajnë për gazin rus në euro ose dollarë, pavarësisht kërcënimit të Kremlinit për të ndërprerë furnizimet që nuk paguhen në rubla.

"Ne shikuam kontratat për dërgesat e gazit," u tha Scholz gazetarëve në Berlin.

“Ato thonë se pagesat bëhen në euro, ndonjëherë në dollarë... dhe unë e bëra të qartë në bisedën time me presidentin rus se kështu do të mbetet”, tha ai duke iu referuar një bisede telefonike me Vladimir Putin të mërkurën.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz
Kancelari gjerman, Olaf Scholz

15:40 31.3.2022

Putini thotë se gazi rus duhet të paguhet në rubla nga e premtja

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha më 31 mars se ka nënshkruar një dekret ku thuhet se blerësit e huaj duhet të paguajnë në rubla për gazin rus nga 1 prilli dhe kontratat do të ndërpriten nëse këto pagesa nuk do të kryhen.

"Për të blerë gazin natyror rus, ata duhet të hapin llogari në rubla në bankat ruse. Nga këto llogari do të bëhen pagesat për gazin e dorëzuar duke filluar nga nesër," tha Putin në një deklaratë televizive.

"Nëse pagesat e tilla nuk bëhen, ne do ta konsiderojmë këtë një falimentim nga ana e blerësve, me të gjitha veprimet që pasojnë. Askush nuk na shet asgjë falas dhe ne nuk do të bëjmë as bamirësi - domethënë kontratat ekzistuese do të ndërpriten."

14:58 31.3.2022

Lajmet e deritashme nga lufta në Ukrainë janë këto:

  • Kreu i agjencisë britanike të spiunazhit, Jeremy Fleming tha se këshilltarët e Vladimir Putinit janë të frikësuar t’ia thonë të vërtetën për përparimin e pushtimit të tij në Ukrainë.
  • Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar për një armëpushim në qytetin e rrethuar të Mariupolit në Ukrainë, duke filluar nga mëngjesi i së enjtes.
  • Ukraina njoftoi seka miliona tonë rezerva të grurit dhe misrit.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij po përgatitet për një ofensivë të re të ushtrisë ruse, në pjesën lindore.
  • Inteligjenca ushtarake britanike tha se granatimet dhe sulmet me raketa ruse kanë vazhduar në Çernihiv, pavarësisht deklaratave ruse për reduktimin e aktivitetit ushtarak rreth zonës.
  • Një kolonë autobusësh ukrainas u nis të enjten për në qytetin e Mariupolit, për të ofruar furnizime humanitare dhe për të nxjerrë civilët e bllokuar.
  • Ukrainasit në SHBA, po përgatiten për të ndihmuar 100,000 refugjatë ukrainas.
  • Separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore kanë thënë se ata kontrollojnë pothuajse të gjithë rajonin e Luhanskut dhe më shumë se gjysmën e rajonit të Donjeckut.
  • Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i kërkoi të enjten parlamentit holandez armë, ndihmë për rindërtim dhe ndalimin e çdo biznesi me Rusinë, si kundërpërgjigje të pushtimit të vendit të tij.
  • Qeveria britanike tha të enjten se ka shtuar edhe 14 pika në listën e saj të sanksioneve kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.
  • Autoritetet ukrainase kanë njoftuar se disa civilë janë plagosur të enjten nga granatimet në rajonin e Donjeckut.
  • Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të enjten se as Departamenti amerikan i Shtetit dhe as Pentagoni nuk kanë informacione të vërteta për atë që po ndodh në luftën ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
  • NATO tha Rusia nuk po zvogëlohet, por po ripozicionohet.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG