Kremlini thotë se SHBA nuk e kupton Putinin
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të enjten se as Departamenti amerikan i Shtetit dhe as Pentagoni nuk kanë informacione të vërteta për atë që po ndodh në luftën ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
Këto komente ai i bëri pasi inteligjenca amerikane tha se presidenti rus, Vladimir Putin, po mashtrohet nga këshilltarët e tij në lidhje me Ukrainën dhe sanksionet.
“Ata thjesht nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh në Kremlin”, tha Peskov.
“Ata nuk e kuptojnë presidentin Putin, nuk e kuptojnë se si merren vendimet dhe nuk e kuptojnë stilin e punës sonë”, tha ai.
Disa civilë të plagosur nga granatimet në Donjeck
Të paktën 13 persona janë lënduar nga bombardimet në rajonin lindor të Donejckut, tha kreu i administratës ushtarake rajonale, Pavlo Kyrylenko.
Ai tha se sulmi rus vazhdoi në pjesën qendrore të rajonit, duke shtuar se në mesin e të plagosurve ishin edhe katër fëmijë, të cilët u dërguan në spital.
Sipas tij, forcat ruse kanë përdorur bomba me fosfor në disa qytete.
Kyrylenko thotë se autoritetet po vazhdojnë të dërgojnë ujë të pijshëm dhe ushqim në disa vendbanime, derisa u bëri thirrje njerëzve që të evakuohen.
“Evakuimi është i përkohshëm. Gjëja më e rëndësishme tani është të shpëtojmë jetë”, tha ai.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, javën e kaluar gjatë një telefonate me liderët e NATO-s, akuzoi Rusinë për përdorimin e bombave me fosfor.
Britania shton sanksionet ndaj Rusisë
Qeveria britanike tha të enjten se ka shtuar edhe 14 pika në listën e saj të sanksioneve kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.
Britania po vepron në bashkëpunim me aleatët perëndimorë në përpjekje për të dëmtuar ekonominë ruse si ndëshkim për pushtimin e Ukrainës nga Moska dhe ka sanksionuar më shumë se 1000 individë dhe biznese, duke përfshirë industri si transporti, mbrojtja dhe elitat e pasurve, të afërt me presidentin rus, Vladimir Putin.
Në mesin e atyre që u sanksionuan të enjten ishin figura të larta të mediave, duke përfshirë drejtorin menaxhues të Russia Today, Alexey Nikolov, Sergey Brilev, një prezantues i shquar i lajmeve në rrjetin shtetëror të Televizionit dhe radios Rossiya, si dhe kryeredaktorin e Sputnik, Anton Anisimov.