Pas ndalesës prej një muaji, në Kiev fillon të shitet sërish alkooli
Shitja e alkoolit do të jetë përsëri e ligjshme në kryeqytetin ukrainas, në Kiev, pas një ndalimi njëmujor.
Administrata e qytetit, tha se duke filluar nga e premtja, shitja e alkoolit do të jetë përsëri e ligjshme në dyqane dhe restorante nga ora 11:00 deri në ora 16:00.
Shitja e alkoolit ishte ndaluar më 1 mars.
Zona të tjera, të tilla si Lviv dhe Mykolaiv kanë hequr tashmë ndalimet e tyre të përkohshme.
Zelensky i kërkon parlamentit holandez të ndalojë tregtinë me Rusinë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i kërkoi të enjten parlamentit holandez armë, ndihmë për rindërtim dhe ndalimin e çdo biznesi me Rusinë, si kundërpërgjigje të pushtimit të vendit të tij.
“Duhen sanksione më të forta në mënyrë që Rusia të mos ketë një shans për ta vazhduar më tej këtë luftë në Evropë”, u tha ai ligjvënësve përmes video-lidhjes.
“Ndaloni të gjitha tregtitë me Rusinë”, tha Zelensky.
Zelenskiy tha se Holanda duhet “të jetë e përgatitur të ndalojë energjinë nga Rusia në mënyrë që të mos paguan miliarda për luftën”.
Rreth 20% e gazit natyror holandez vjen nga Rusia, e cila është bërë një partner tregtar gjithnjë e më i rëndësishëm për Holandën vitet e fundit.
Separatistët e mbështetur nga Rusia deklarojnë fitime të rëndësishme në lindje të Ukrainës
Separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore kanë thënë se ata kontrollojnë pothuajse të gjithë rajonin e Luhanskut dhe më shumë se gjysmën e rajonit të Donjeckut.
Rusia njohu pavarësinë e Republikave Popullore të vetëshpallura të Donjeckut dhe Luhanskut pak përpara se të dërgonte trupa në Ukrainë më 24 shkurt.
“Që nga mëngjesi i 31 marsit 2022, më shumë se 90 për qind e territorit të Republikës Popullore të Luhanskut është çliruar”, tha të enjten Ministria e Jashtme e republikës së vetëshpallur.
Në rajonin e Donjeckut, forcat ruse kanë rrethuar qytetin e Mariupolit.
Pas javësh luftimesh, Moska tha javën e kaluar se do të fokusohet në “çlirimin” e Donbasit dhe të martën tha se do të tërhiqet nga Kievi dhe qyteti verior Çernihiv.
"Është ferr": Ukrainasit përshkruajnë ikjen nga Mariupoli i rrethuar
Civilët ukrainas, të cilët kanë ikur nga qyteti-port i rrethuar i Mariupolit, kanë përshkruar skena “ferri” dhe kanë treguar se ata që ende ndodhen atje janë në prag të vdekjes nga uria. Forcat ruse e kanë rrethuar qytetin dhe po e sulmojnë atë me artileri dhe me raketa. Disa civilë janë lejuar të largohen gjatë pezullimit të bombardimeve. Duke folur për projektin e Radios Evropa e Lirë, Current Time, në qytetin perëndimor të Lvivit, më 24 mars, ata që kanë ikur nga Mariupoli kanë thënë se kushtet ishin “të tmerrshme”, dhe se ushqimet dhe uji pothuajse kanë mbaruar.