S’ka qetësi në Kiev
Ka ende shumë aktivitete ushtarake që po vazhdojnë rreth qytetit të Kievit, raporton BBC.
Ukrainasit thonë se kanë rimarrë plotësisht qytetin Irpin, në veri-perëndim, por ata u kanë thënë banorëve se “nuk mund të ktheheni, është shumë rrezik”.
Në Hostemel dhe Buça, ku ka pasur luftime që nga dita e parë, rusët janë ende atje.
Ukrainasit në SHBA, gati për të ndihmuar 100,000 refugjatë ukrainas
Derisa Shtetet e Bashkuara po përgatiten të pranojnë rreth 100 mijë refugjatë nga Ukraina, pas pushtimit rus, komunitetet ekzistuese në qytetet si Sakramento dhe Sietëll po mobilizohen për të siguruar ushqim, strehim dhe mbështetje për ata që ikin nga lufta.
Qeveria federale nuk ka thënë se kur do të fillojë procesi zyrtar i zhvendosjes, por grupet ukrainase në SHBA tashmë po ofrojnë mbështetje për njerëzit që hyjnë në këtë vend përmes kanaleve të tjera.
“Asnjë refugjat nuk po pret që ju të jeni gati për ta”, tha Eduard Kislyanka, pastor i lartë në një kishë në Sakramento, e cila ka dërguar ekipe njerëzish në Poloni - shtet në kufi me Ukrainën - dhe ka përgatitur dhjetëra familje për të strehuar njerëzit që mbërrijnë në Kaliforni.
Qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, mbi 4 milionë njerëz vlerësohet të kenë ikur nga Ukraina dhe miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.
BE-ja përgatitet për një samit të tensionuar me Kinën
Kur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe ai i Këshillit Evropian, Charles Michel, do të zhvillojnë një takim virutal me liderin kinez, Xi Jinping më 1 prill, ata planifikojnë ta paralajmërojnë Pekinin se do të ketë pasoja nëse i ofron ndihmë Rusisë në pushtimin e Ukrainës.
Ky samit mbahet në kohën kur raportet midis Kinës dhe Bashkimit Evropian janë më delikate se kurrë më parë, teksa rreshtimi i Pekinit me Rusinë në luftën e saj në Ukrainë ka dëmtuar raportet veçse të tensionuara me Brukselin, që ishin përkeqësuar pas një sërë tensionesh tregtare dhe gjeopolitike.
“Në samitin e Kinës, ka një pajtim të madh midis përfaqësuesve të BE-së se nuk do të jetë një samit i zakonshëm dhe se Brukseli nuk duhet të jetë naiv”, tha për Radion Evropa e Lirë një diplomat evropian.
Zelensky tërheq ambasadorët ukrainas nga Gjeorgjia dhe Maroku
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka tërhequr ambasadorët e Ukrainës në Gjeorgji dhe Marok, pasi sipas tij, ata nuk kanë bërë mjaftueshëm për të bindur ato vende që të mbështesin Ukrainën dhe të ndëshkojnë Rusinë për pushtimin.
“Me gjithë respektin e duhur, nëse nuk do të ketë armë, nuk do të ketë sanksione, nuk do të ketë kufizime për biznesin rus, atëherë ju lutemi kërkoni punë tjetër”, tha Zelensky.
“Pres rezultate konkrete në ditët në vijim nga puna e përfaqësuesve tanë në Amerikën Latine, Lindjen e Mesme, Azinë Juglindore dhe Afrikë”, shtoi Zelensky.
Ai tha se “fronti diplomatik është një nga frontet kyçe” në betejën e Ukrainës për të fituar luftën kundër Rusisë.