Dëgjohen shpërthime në afërsi të Kievit
Mëngjesin e së mërkurës janë dëgjuar shpërthime në afërsi të Kievit, raporton transmetuesi publik britanik, BBC.
Sipas BBC-së shpërthimet janë pasuar nga sirenat për sulme ajrore. Shpërthimet janë dëgjuar në periferi të qytetit.
Ende është e paqartë nëse shpërthimet janë shkaktuar nga forcat ruse apo ukrainase.
Të martën, Rusia njoftoi se mëton të zvogëlojë operacionet e saj pranë kryeqytetit ukrainas, Kiev, dhe shumë liderë perëndimorë kanë thënë se ky njoftim rus duhet të trajtohet me kujdes.
Rusia po vazhdon “veprimet ilegale” kundër banorëve lokalë
Ushtria e Ukrainës tha se trupat ruse po vazhdojnë të “kryejnë veprime ilegale” kundër popullatës lokale në Zaporizhja, që gjendet në juglindje, dhe në Herson, që gjendet në jug të Ukrainës.
Sipas njoftimit të ushtrisë, Rusia po vazhdon dislokimin e trupave në Ukrainë, bastisjen e shtëpive të banorëve lokalë, si dhe po arreston aktivistë pro-ukrainas dhe zyrtarë qeveritarë.
Kjo deklaratë e ushtrisë ukrainase pason zotimin e Rusisë se do t'i “zvogëlojë në mënyrë drastike” operacionet ushtarake përreth kryeqytetit ukrainas, Kiev.
Britania: Njësitë ruse po kthehen në Bjellorusi për furnizim
Përqendrimi i Rusisë në një ofensivë në rajonin e Donjeckut dhe Luhanskut është “një pranim i heshtur” se ajo po ka vështirësi që të mbajë më shumë se një front të ofensivës, tha Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.
Njësitë që kanë pësuar humbje të mëdha janë detyruar që të kthehen në Rusi dhe Bjellorusi për t’u rifurnizuar dhe riorganizuar, gjë që po vendos preson “mbi logjistikën tashmë të mbingarkuar të Rusisë”, tha Britania.
Ministria e Mbrojtjes tha se forcat ruse me gjasë do të kompensojnë aftësinë e reduktuar të manovrimit tokësor përmes sulmeve masive të artilerisë dhe sulmeve me raketa.
SHBA-ja paralajmëron amerikanët se mund të arrestohen në Rusi
Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim duke thënë se Moska “mund të arrestojë qytetarët amerikanë në Rusi” dhe ripërsëriti thirrjet e mëhershme që amerikanët të mos udhëtojnë drejt këtij shteti.
Ky paralajmërim u bë “për shkak të pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga forcat e armatosura ruse”, por edhe për mundësinë e rrezikut të ngacmimit të shtetasve amerikanë nga autoritetet ruse, u tha në njoftimin e DASH-it, ku u theksua po ashtu që amerikanët që jetojnë apo kanë udhëtuar drejt Rusisë të largohen “menjëherë”.
Ky njoftim vjen teksa diplomatët amerikanë e kanë pasur të pamundur që ta vizitojnë yllin e basketbollit, Brittney Griner, e cila për më shumë se një muaj është arrestuar në Rusi.
Griner u ndalua në aeroportin e Moskës më 17 shkurt dhe po akuzohet se në valixhen e saj të udhëtimit ka pasur lëndë narkotike. Nëse gjendet fajtore për akuzat, ajo mund të dënohet deri me dhjetë vjet burgim.