Raportohet për granatime në zonat e banuara në Lisiçansk
Zonat e banuara në qytetin Lisiçansk janë granatuar me artileri të rëndë mëngjesin e së mërkurës, tha guvernatori i rajonit Luhansk, Serhiy Gaidai, përmes një postimi në Telegeram.
“Një numër i ndërtesave të larta të banimit janë dëmtuar. Informacioni mbi viktimat është duke u konfirmuar”, tha ai.
“Shumë ndërtesa janë rrëzuar. Ekipet e shpëtimit po tentojnë të shpëtojnë banorët”, shtoi ai.
Lisiçansk gjendet në lindje të Ukrainës.
Mirëmëngjesi të nderuar lexues. Po e rifillojmë mbulimin e drejtpërdrejtë të ngjarjeve në Ukrainë.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Ukrainës tha se zotimi i Rusisë për tërheqje është i dizajnuar për të mashtruar.
Në një postim në Facebook, Shtabi i Përgjithshëm tha se njësitë ruse po vazhdojnë të largohen nga Kievi dhe Çernihivi. Më 29 mars, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se do të zvogëlojë aktivitetin ushtarak në Kiev dhe Çernihiv dhe paraprakisht është deklaruar se do të fokusojë operacionet e saj në rajonin lindor të Donbasit.
Ushtria ukrainase tha se beson se tërheqjet “me gjasë janë një rotacion i njësive individuale” që synojnë të mashtrojnë udhëheqjen ushtarake të Ukrainës dhe të krijojnë një “ide të gabuar” lidhur me qëllimin e dislokimit të tyre.
Në postimin e Shtabit të Përgjithshëm po ashtu përmendet deklarata e zëdhënësit të Pentagonit, John Kirby, i cili ka thënë se vazhdon të ketë kërcënim për Kievin pavarësisht lëvizjeve të forcave ruse, që po largohen nga qyteti.
Po ashtu, ushtria ukrainase tha se Rusia po vazhdon luftimet në afërsi të Donjeckut, që gjendet në lindje të Ukrainës.
Lexues të nderuar, këtu po e përmbyllim raportimin e drejtpërdrejtë për zhvillimet e lidhura me luftën në Ukrainë.
Rikthehemi të mërkurën, 30 mars, në orën 07:00.
Më poshtë gjeni një përmbledhje të ditës së 34-të të luftës:
- Ukraina dhe Rusia kanë shënuar përparim në bisedimet e para sy më sy, pas më shumë se dy javësh, pasi Moska është zotuar për zvogëlim të operacioneve ushtarake rreth Kievit dhe Çernihivit, dhe Ukraina ka thënë se do të pranojë statusin e shtetit neutral
- Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu ka thënë se bisedimet e së martës kanë qenë më të suksesshmet prej kur kanë nisur diskutimet në mes të të dyja palëve
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se sinjalet nga bisedimet për paqe, mund të konsiderohen pozitive, mirëpo ka shtuar se ato nuk kanë ndalur shpërthimet nga ana e Rusisë
- Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë thënë se duhet pasur kujdes ndaj pretendimeve të Rusisë për zvogëlim të sulmeve
- Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se “do të shohim çfarë do të ndodhë” në terren, ndërsa kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se Rusia do të gjykohet nga veprat dhe jo fjalët
- Një negociator rus ka paralajmëruar se zotimi i Rusisë për shtensionim nuk do të thotë “armëpushim”
- Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, ka thënë se Rusia është duke “ripozicionuar” forcat e saj afër Kievit, mirëpo nuk është duke i tërhequr ato, andaj qyteti është nën rrezik
- Katër shtete evropiane – Holanda, Belgjika, Irlanda dhe Republika Çeke – kanë njoftuar për dëbime masive të diplomatëve rusë, nën dyshimet për spiunim
- Polonia ka miratuar një projektligj që do të ndalonte importin e thëngjillit rus, ka thënë zëdhënësi qeveritar, Piotr Muller. Ky shtet u ka kërkuar partnerëve të Bashkimit Evropian që të vendosin embargo në blerjen e energjisë ruse, mirëpo nuk ka arritur t’i bindë deri më tani
“Mijëra civilë mund të kenë vdekur në Mariupol”
Mijëra civilë mund të kenë vdekur në qytetin e Mariupolit, prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë katër javë më parë, ka thënë për Reuters, Matilda Bogner, udhëheqëse e misionit të Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut.
Gati 5,000 njerëz, përfshirë 210 fëmijë, janë vrarë në Mariupol, ka thënë zëdhënësi i kryetarit të Mariupolit të hënën.
Zyra e tij ka thënë se 90 për qind e ndërtesave të Mariupolit janë dëmtuar dhe 40 për qind janë shkatërruar, përfshirë spitale, shkolla, kopshte të fëmijëve dhe fabrika.
“Ne mendojmë se aty mund të jenë mijëra civilë të vdekur”, ka thënë Bogner.
Ajo ka thënë se misioni i saj nuk i ka shifrat e sakta, mirëpo është duke punuar për të mbledhur më shumë informacione.
Zyrtarët lokalë, duke cituar dëshmitarët, kanë thënë javën e kaluar se 300 njerëz janë vrarë në sulmet me bomba në teatrin e Mariupolit më 16 mars.
Në objektin e teatrit kanë qenë duke u strehuar banorët e qytetit.