Biden: Do të shohim nëse Rusia ndjek planin për shtensionim
Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë bërë thirrje për kujdes, pasi Rusia ka thënë se do të “zvogëlojë në mënyrë drastike” sulmet afër Kievit dhe Çernihivit.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka kërkuar po ashtu kujdes.
“Nuk lexoj asgjë derisa të shoh se cilat janë veprimet e tyre. Do të shohim nëse realizojnë atë për të cilën po flasin. Ka negociata që po vazhdojnë, në Turqi dhe tjerat”.
“Është realizuar takim mes krerëve të katër shteteve aleate të NATO-s, Francës, Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe – dhe aty ka pasur pajtueshmëri që të presim se çfarë do të ofrojnë ata”.
Biden ka qenë duke folur para gazetarëve pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Singaporit, Lee Hsien Loong.
Ukraina dhe Rusia kanë shënuar përparim në bisedimet e para sy më sy, pas më shumë se dy javësh, pasi Moska është zotuar për zvogëlim të operacioneve ushtarake rreth Kievit dhe veriut të Ukrainës, dhe Ukraina ka thënë se do të pranojë statusin e shtetit neutral.
Delegacionet nga të dyja palët kanë zhvilluar bisedime në Stamboll, teksa forcat ruse vazhdojnë të hasin në rezistencën ukrainase edhe pas më shumë se një muaji, prej kur kanë nisur pushtimin e këtij shteti.
Ukraina kërkon që simboli ‘Z’ të bëhet i paligjshëm
Ukraina u ka bërë thirrje shteteve që të dënojnë penalisht përdorimin e simbolit ‘Z’, i cili konsiderohet si mbështetje për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Fillimisht e përdorur në tanket ruse që kanë hyrë në Ukrainë, shkronja ‘Z’ besohet se ka kuptimin "za pobedu" (për fitore) – dhe është miratuar nga rusët si shenjë për miratim të pushtimit.
Tri lande gjermane, Berlini, Bavaria dhe Saksonia e Ulët – tashmë kanë thënë se kushdo që përdor simbolin për të promovuar luftën, mund të dënohet me deri tre vjet burgim.
Ministria e Brendshme gjermane ka paralajmëruar se ata që e prezantojnë simbolin për të “mbështetur” pushtimin “mund të ndiqen penalisht”.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dimitry Kuleba, u ka bërë thirrje dhe vendeve tjera që të ndjekin shembullin e Gjermanisë.
“’Z’ nënkupton krimet ruse të luftës, bombardim të qyteteve, mijëra ukrainas të vrarë”, ka thënë Kuleba në një postim në Twitter.
“Duhet të ndalohet mbështetja publike e këtij barbarizmi”.
Simboli është parë në disa ndërtesa në Gjermani, si dhe në bluza, flamuj dhe makina.
Ky simbol është parë edhe në shtetet tjera.
Lituania është në mesin e shteteve që është duke shqyrtuar mundësinë e ndalimit të përdorimit të simbolit.
Nëse miratohet, ata që shihen me të mund të dënohen me 500 euro gjobë.
Mbretëria e Bashkuar do të mbajë konferencë të donatorëve për t’i ndihmuar Ukrainës
Mbretëria e Bashkuar do të zhvillojë të enjten një konferencë të donatorëve, si tentim për të siguruar më shumë ndihmë vdekjeprurëse për Ukrainën.
Ndihma vdekjeprurëse përfshin armët dhe pajisjet ushtarake.
Konferenca, e cila do të mbledhë shtetet që dëshirojnë të bëjnë donacion armë ushtarake në Ukrainë, do të organizohet nga Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.
Gjatë vizitës në Norvegji, Wallace ka thënë se në konferencë “do të kuptojmë çfarë tjetër mund të mblidhet në botë, për t’u siguruar se Rusia nuk ka sukses në pushtimin e paligjshëm të një shteti sovran”.
Më herët gjatë këtij muaji, Mbretëria e Bashkuar ka thënë se është duke u përgatitur për të dërguar sisteme raketore për mbrojtje në Ukrainë, për të ndihmuar në shkatërrimin e tankeve dhe aeroplanëve rusë.
Zyrtari amerikan: Disa trupa ruse po largohen nga Kievi, por kjo mund të mos jetë relevante
Rusia ka thënë se do të “zvogëlojë në mënyrë drastike” sulmet rreth Kievit dhe qytetit verior, Çernihiv.
Një zyrtar amerikan ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se disa forca ruse janë duke u larguar nga zona e kryeqytetit ukrainas.
“Po, kemi pas disa tërheqje të rusëve nga Kievi”, ka thënë ky zyrtar në kushte anonimiteti.
“Mirëpo ne kemi pak besim se në këtë fazë kjo do të rezultojë me diçka të madhe. Rusët janë ende duke sulmuar Kievin përmes ajrit. Koha do të tregojë”.