Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
18:28 29.3.2022

Polonia do të ndalojë importet e thëngjillit nga Rusia

Polonia ka miratuar një projektligj që do të ndalonte importin e thëngjillit rus, ka thënë zëdhënësi qeveritar, Piotr Muller.

Ky shtet u ka kërkuar partnerëve të Bashkimit Evropian që të vendosin embargo në blerjen e energjisë ruse, mirëpo nuk ka arritur t’i bindë deri më tani.

Muller ka thënë se Qeveria nuk mund të presë më BE-në andaj ka vendosur që ta marrë vendimin e vetme.

Polonia është prodhuesja më e madhe e thëngjillit në bllokun evropian, mirëpo minierat e saj nuk prodhojnë sasi të mjaftueshme të thëngjillit që nevojitet për ngrohje të shtëpive, shkollave dhe spitaleve.

Disa prej termocentraleve të saj djegin edhe thëngjill rus.

Me 2020, Polonia ka blerë tre çerekë të 12.8 milionë tonëve të thëngjillit nga Rusia.

Më herët gjatë këtij muaji, kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, ka thënë se ai ka zhvilluar bisedime me homologun e tij australian për blerje të thëngjillit nga Australia.

17:53 29.3.2022

Rusia: Zvogëlimi i operacioneve ushtarake nuk nënkupton armëpushim

Premtimi i Rusisë për të zvogëluar operacionet ushtarake rreth Kievit dhe veriut të Ukrainës, nuk nënkupton armëpushim, ka thënë shefi i ekipit negociator rus, Vladimir Medinsky.

Ai i ka bërë këto deklarata pas negociatave për paqe që kanë zhvilluar Ukraina dhe Rusia në Stamboll.

“Ky nuk është armëpushim, mirëpo kjo është aspirata jonë, që gradualisht të arrijmë uljen e tensioneve, të paktën në këto rajone”, ka thënë Medinsky në një intervistë për agjencinë e lajmeve, TASS.

Rusia ka thënë më herët gjatë ditës se planifikon të “zvogëlojë në mënyrë radikale” aktivitetet ushtarake jashtë qyteteve ukrainase, Kiev dhe Çernihiv.

17:42 29.3.2022

Katër vende evropiane dëbojnë diplomatë rusë

Katër shtete evropiane – Holanda, Belgjika, Irlanda dhe Republika Çeke – kanë njoftuar më 29 mars për dëbime masive të diplomatëve rusë, nën dyshimet për spiunim.

Holanda ka njoftuar se do të dëbojë 17 diplomatë rusë, të cilët Ministria e Jashtme holandeze, ka thënë se janë zyrtarë të inteligjencës ruse.

Belgjika ka thënë se do të dëbojë 21 diplomatë rusë, Irlanda, katër dhe Republika Çeke, një diplomat.

17:14 29.3.2022

Blinken: Ka dallim mes asaj që thotë dhe bën Rusia

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë “shenja reale të seriozitetit” nga Rusia për arritje të paqes, prej kur ky shtet ka nisur pushtimin e Ukrainës.

Blinken i ka bërë këto komente pasi Rusia dhe Ukraina kanë zhvilluar bisedime për paqe dhe Moska ka bërë të ditur se do të “zvogëlojë në mënyrë drastike” operacionet luftarake në Kiev dhe Çernihiv, në mënyrë që të “rrisin besimin reciprok”.

Turqia ka thënë se në bisedime është arritur përparimi më i madh në mes dy palëve, prej shpërthimit të luftës.

Mirëpo Blinken ka thënë se ka dallim mes asaj që thotë dhe bën Rusia, dhe se SHBA-ja është e fokusuar në këtë të fundit.

Ai ka thënë se Rusia duhet t’i japë fund agresionit dhe të tërheqë mbrapsht forcat.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG