Edhe Belgjika dëbon diplomatë rusë
Autoritetet belge kanë vendosur të dëbojnë 21 diplomatë rusë për aktivitete të lidhura me spiunim.
Diplomatëve u janë dhënë dy javë kohë për t’u larguar nga shteti, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Elke Pattyn për agjencinë e lajmeve, Associated Press.
Holanda dëbon 17 agjentë të inteligjencës ruse
Holanda ka dëbuar 17 agjentë të inteligjencës ruse, të cilët janë akredituar si diplomatë, duke u bazuar në informatat e siguruara nga shërbimet e saj të sigurisë, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Holandës përmes një komunikate.
“Arsyeja e këtij vendimi është informacioni i marrë nga shërbimet e sigurisë, që tregon se individët në fjalë, të akredituar si përfaqësues rusë në Holandë, kanë vepruar si zyrtarë të inteligjencës”, ka thënë Ministria.
Ministri i Jashtëm holandez, Wopke Hoekstra, ka thënë se Qeveria është e përgatitur për secilin veprim hakmarrës të Moskës.
“Përvoja tregon se Rusia nuk hesht ndaj këtyre masave. Ne nuk mund të spekulojmë në këtë gjë, mirëpo Ministria e Punëve të Jashtme është e përgatitur për skenarë të ndryshëm që mund të ndodhin në të ardhmen”, ka thënë ai përmes një deklarate.
Biden dhe liderët evropianë do të diskutojnë për Ukrainën
Presidenti amerikan, Joe Biden do të bisedojë me liderë të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të martën, për të diskutuar zhvillimet e fundit rreth pushtimit rus në Ukrainë, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Biden pritet të bisedojë përmes telefonit me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministrin italian, Mario Draghi dhe kryeministrin britanik, Boris Johson.
Kjo thirrje telefonike do të zhvillohet pas bisedimeve për paqe në mes të Ukrainës dhe Rusisë, të cilat janë mbajtur në Stamboll.
Në to, Moska është zotuar se do të zvogëlojë operacionet ushtarake rreth qyteteve ukrainase, Kiev dhe Çernihiv, derisa Ukraina ka propozuar status neutral dhe garanci ndërkombëtare të sigurisë, për të mbajtur territorin që ka.
Biden është kthyer nga Evropa, pas vizitave që ka kryer me liderë evropianë dhe ka qenë pjesë e samitit të NATO-s, për të diskutuar përgjigjen e Perëndimit ndaj luftës në Ukrainë.
Macron është thënë se do të diskutojë të martën edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.
Turqia: U arrit përparimi më i madh deri më tani
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu ka thënë se bisedimet e së martës mes Ukrainës dhe Rusisë - të parat ballë për ballë pas më shumë se dy javësh – kanë qenë më të suksesshmet prej kur kanë nisur diskutimet në mes të të dyja palëve.
Cavusoglu ka thënë se Turqia ka mirëpritur të dyja shtetet për të arritur kompromis dhe pajtueshmëri për çështje të caktuara, duke theksuar se lufta duhet të përfundojë sa më shpejt që është e mundur.
Ai ka thënë se “tema edhe më të vështira” pritet të diskutohen në të ardhmen mes ministrave të Jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë.