Rritet vlera e aksioneve pas bisedimeve për luftën
Pasi është bërë i ditur përparimi në bisedimet që janë zhvilluar mes Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll, në Evropë është rritur vlera e aksioneve.
Në Paris dhe Frankfurt, vlera e aksioneve është rritur për 3 për qind, ndërsa në Londër, 1.34 për qind.
Ndërkohë, çmimet ndërkombëtare të naftës kanë rënë.
Çmimi i naftës së papërpunuar Brent ka rënë për gati 6 për qind.
Zhvillimet kryesore të ditës
Përshëndetje të nderuar lexues. Nëse tani jeni kyçur në blogun tonë, këto janë zhvillimet kryesore të ditës së 34-të të luftës në Ukrainë:
Bisedimet: Delegacionit e Ukrainës dhe Rusisë u takuan sot në Stamboll të Turqisë. Gjatë këtyre bisedimeve, Kievi ka ofruar që të miratojë një status neutral dhe të mos i bashkohet aleancave ushtarake, në këmbim të garancive të sigurisë. Po ashtu Ukraina ka thënë se dëshiron të bisedojë për statusin e Krimesë së Aneksuar. Nikoqirja e takimit, Turqia, tha se ky ishte rundi më i suksesshëm i bisedimeve që dy palët kanë zhvilluar deri më tani.
Tërheqja e Rusisë: Teksa u mbajtën bisedimet e paqes, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se “do të zvogëlojë në mënyrë drastike” aktivitetin ushtarak pranë Kievit dhe Çernihivit. Ky njoftim vjen në ditën e njëjtë kur Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar tha se ushtria ukrainase ka zmbrapsur nga një sërë pozicionesh forcat ruse.
Sulmet: Ukraina raportoi për të paktën tri viktima në Mikolajiv pas një sulmi me raketa në ndërtesën administrative të këtij qyteti. Ushtria ukrainase më herët gjatë ditës po ashtu raportoi se sulmet ruse po kanë në shënjestër depot e karburanteve në disa qytete në mbarë vendin.
Evakuimet: Kievi njoftoi se pala ruse është pajtuar që gjatë ditës së sotme të hapen tri korridore humanitare, përfshirë një në Mariupol. Ky qytet-port ukrainas, është qyteti i goditur më së keqi nga bombardimet ruse. Në këtë qytet besohet se kanë mbetur të bllokuar afër 160,000 banorë.
Propozimet e Ukrainës në bisedimet në Turqi
Ukraina ka propozuar që të miratojë një status neutral në këmbim të garancive të sigurisë. Këto propozime janë prezantuar gjatë bisedimeve me Rusinë që u mbajtën të martën në Turqi, që nënkupton se Kievi nuk do t’i bashkohej NATO-s apo që në bazat e saj do të vendoste ushtarë të aleancës së NATO-s, thanë negociatorët ukrainas.
Propozimet, që po ashtu përfshijnë një periudhë 15-vjeçare të konsultimeve për statusin e Gadishullit të aneksuar të Krimesë, do të mund të zbatoheshin vetëm në rastin të një armëpushimi të plotë, thanë negociatorët për gazetarët në Stamboll.
Propozimet janë më të detajuarat dhe më konkretet që Ukraina i ka paraqitur publikisht. Ato gjithashtu parashikojnë garanci të sigurinë në linjë me artikullin 5 të NATO-s, që është një klauzolë për mbrojtje kolektive.
Polonia, Izraeli, Turqia dhe Kanadaja mund të jenë garantuesit e mundshëm për këto propozime.
“Nëse ne arrijmë të konsolidojmë këto provizione kyçe, dhe për ne kjo është më e rëndësishmja, atëherë Ukraina do të jetë në pozitë që të rregullojë statusin aktual si një shtet që nuk është pjesë e bllokut dhe pa armë bërthamore, në formë të një neutraliteti të përhershëm”, tha negociatori Oleksander Chaly.
“Ne nuk do të lejojmë hapjen e bazave të huaja ushtarake në vendin tonë e as nuk do të vendosjen e kontingjenteve ushtarake në territorin tonë dhe nuk do të bëhemi pjesë e aleancave ushtarake-politike”, tha ai për televizionin kombëtar ukrainas.
“Stërvitjet ushtarake në territorin tonë do të mbahen me pëlqimin e shteteve garantuese”.
Sipas negociatorëve ukrainas, këto propozime janë të mjaftueshme që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe ai rus, Vladimir Putin, të takohen. Por, pala ukrainase tha se për këtë temë po pret përgjigjen e palës ruse.
Gjatë takimit në Stamboll, Ukraina kërkoi një marrëveshje armëpushimi, që nuk do të komprometonte territorin as sovranitetin e vendit.
Ndërkaq, Turqia, si nikoqire e këtij takimi, tha se bisedimet në Stamboll shënojnë përparimin më të rëndësishëm në procesin e paqes deri më tani, deklaroi ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.
Rusia “do të zvogëlojë aktivitetin përreth Kievit dhe Çernihivit”
Zëvendësministri i Mbrojtjes së Rusisë, Alexander Fomin, tha se Rusia do të “zvogëlojë në mënyrë drastike” aktivitetin ushtarak jashtë Kievit dhe Çernihivit, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve Tass.
Më herët, Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, ka thënë se forcat ukrainase me sukses kanë arritur të zmbrapsin nga një sërë pozicionesh ushtrinë ruse.
Megjithatë, sipas Britanisë, Rusia vazhdon të paraqesë kërcënim për Kievin, pasi mund ta sulmojë kryeqendrën ukrainase, Kiev.
Ndërkaq, qyteti verior i Çernihivit, që është i rrethuar, sipas zyrtarëve ukrainas, sot ka përjetuar sulme të reja ruse.
Zyrtarët lokalë të Çernihivit vlerësoi se 400 banorë janë vrarë që prej se ka nisur lufta.