Zelensky: Rrethimi i Mariupolit, krim kundër njerëzimit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se rrethimi rus i qytetit-port të Mariupolit përbën “krime kundër njerëzimit”.
Duke iu drejtuar Parlamentit danez, ai tha se krimet po ndodhin “para syve të të gjithë planetit që po i shikojnë në kohë reale”.
Disa ekspertë ushtarakë kanë sugjeruar se rënia e Mariupolit nën kontrollin rus mund të jetë e pashmangshme, por kanë shtuar se është e pamundur të thuhet se kur ose nëse diçka e tillë do të ndodhë.
Mariupoli, që gjendet në jug të Ukrainës, ka përjetuar sulmet më të ashpra ruse, teksa dhjetëra-mijëra civilë ende mbeten të bllokuar në këtë qytet që ka mbetur pa rrymë, ujë apo gaz.
Për shkak se qyteti është i rrethuar dhe po bombardohet vazhdimisht, civilët po kanë vështirësi që të evakuohen.
Agnes Callamard, sekretare e përgjithshme e organizatës Amnesty International e ka akuzuar Rusinë se ka kryer krime lufte në këtë qytet.
“Rrethimi i Mariupolit, ndalimi i evakuimit humanitar të banorëve dhe shënjestrimi i civilëve, sipas hetimit të Amnesty International përbëjnë krime lufte”, tha ajo gjatë një konference për media.
“Ky është realiteti i Ukrainës për momentin”, shtoi ajo.
Rusia mohon se shënjestron civilët, pavarësisht dëshmive se sulmon ndërtesa banimi dhe objekte të tjera joushtarake në mbarë vendin, përfshirë edhe në Mariupol.
Britania ndalon një super-jaht rus
Britania ka ndaluar një super-jaht në pronësi të një rusi, tha zëdhënësi i kryeministrit, Boris Johnson.
“Departamenti i Transportit ka punuar ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Krimeve dhe Byronë për Hetime Detare për të ndaluar super-jahtin”, tha zëdhënësi.
“Ne do të punojnë për të ndërmarrë veprime ndaj kujtdo që përfiton nga lidhjet ruse”, shtoi ai.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Bujqit ukrainas vazhdojnë lëvrimin pavarësisht luftës
Pranvera ka mbërritur në jugperëndim të Ukrainës – është koha që Alexander Petkov të fillojë t’i lëvrojë arat e tij. Por, lufta me Rusinë e ka penguar veprimtarinë e mbjelljes – si dhe furnizimet me ushqim për botën.
Rusia thotë se kapacitetet ushtarake të Ukrainës “kanë degraduar seriozisht”
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha të martën se kapacitetet ushtarake të Ukrainës kanë degraduar seriozisht.
Sipas Rusisë, faza e parë e “operacionit ushtarak” në Ukrainë ka përfunduar.
Moska i referohet pushtimit rus të Ukrainës si “operacion i posaçëm ushtarak”
Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, gjatë një takimi me zyrtarët, paralajmëroi se Rusia do të përgjigjej nëse aleanca ushtarake e NATO-s do ta furnizonte Ukrainën me avionë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.