Të paktën tri viktima nga sulmi në Mikolajiv
Të paktën tre persona janë vrarë dhe 22 të tjerë janë plagosur nga sulmi me raketa të martën në ndërtesën e administratës rajonale në Mikolajiv, tha shërbimi i emergjencave të Ukrainës.
Qyteti-port i Mikolajivit gjendet në jug të Ukrainës.
Në një postim të publikuar online, shërbimi i emergjencave tha se 18 persona të plagosur janë nxjerrë nga rrënojat nga ekipet e shpëtimit.
Operacionet për shpëtim po vazhdojnë, tha ky shërbim.
Rusia hedh poshtë raportimet për helmimin e Abramovichit
Helmimi i dyshuar i miliarderit rus, Roman Abramovich në bisedimet e paqes më herët gjatë këtij muaji, nuk ka të bëjë asgjë me realitetin, tha Kremlini, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.
Rusia tha se raportime të tilla janë pjesë e “informacionit të luftës”.
Kremlini po ashtu tha se Abramovich nuk është anëtar zyrtar i delegacionit rus në Turqi, edhe pse ai është parë në bisedimet që po mbahen të martën me delegacionin ukrainas.
Më shumë për helmimin e dyshuar të Abramovichit dhe anëtarëve të delegacionit ukrainas mund të mësoni KËTU
Kremlini: Pa rubla nuk ka gaz
Kremlini tha se shtetet që nuk respektojnë rregullin që të paguajnë me rubla për gazin rus, Rusia do të ndalojë furnizimin e tyre.
Duke folur për transmetuesin publik amerikan, PBS, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se përderisa ai nuk e di se çfarë do të ndodhë me ato shtete që refuzojnë të paguajnë me rubla, “ne do të shohim se çfarë mund të bëhet”.
“Definitivisht, ne nuk do të bëjmë bamirësi dhe të dërgojmë gaz falas për Evropën Perëndimore”, tha ai.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Ukraina: Bisedime për garanci të sigurisë dhe armëpushim
Garancitë e sigurisë dhe një armëpushim i organizuar për të zgjidhur problemet humanitare janë temat që po diskutohen në bisedimet e mbajtura në Turqi ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, tha një këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Konsultimet intensive po vazhdojnë tani për disa çështje të rëndësishme, por më e rëndësishmja është marrëveshja për garancitë ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën, sepse me këtë marrëveshje ne do të jemi në gjendje t’i japim fund luftës, ashtu siç ka nevojë Ukraina”, tha Mykhailo Podolyak gjatë një adresimi televiziv.
“Çështja e dytë është armëpushimi që të zgjidhen të gjitha problemet humanitare që janë mbledhur”, shtoi ai.
Këshilltari i Presidencës ukrainase, Podolyak tha se një tjetër problem ishte “përshkallëzimi i luftës” përfshirë edhe ato që ai i quajti “shkelje të rregullave të luftës”, pa dhënë detaje.